Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me prezantimin e një projekti të përfunduar për qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për fushën e plehrave në Porto-Romano, e cila do të kthehet në një park gjigand.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Rama shkruan se vatra e ndotjes në Durrës do të kthehet në park atraksioni për të gjitha moshat.

“Mirëmëngjesi!

Dhe me këtë prezantim të projektit tanimë të përfunduar të transformimit të një vatre të stërvjetër ndotjeje e turpi për Durrësin turistik, në një mushkëri të gjelbër e park atraksionesh për të gjitha moshat, ju uroj një ditë të qetë”, shkruan Rama bashkangjitur videos.

Sipas projektit, në një sipërfaqe prej 155 000 m² do të ndërtohen ambiente sportive, 3 fusha basketbolli, 1 fushë minifutbolli, 2 fusha tenisi; do të krijohet një kopsht botanik si dhe për herë të parë në vendin tonë: një Climbing Wall 28 metra i lartë (mur ngjitës). Kodrat do të jenë me hapësirë ekologjike, ndërsa parashikohet që projekti të përfundojë në vitin 2021.