Shumëkujt i ka ngjallur habi sot një foto që ka qarkulluar në rrjetet sociale ku shfaqej deputeti demokrat Ervin Salianji dhe ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj. Çudi për faktin se Salianji ka qenë një deputet shumë aktiv duke sulmuar gjithmonë maxhorancën, ndërkohë që në kafe biseda mes tyre duket shumë normale.

Pikërisht këtë takim e ka sqaruar ish-ministri Ahmetaj në studion e News24. Ahmetaj tha me shaka fillimisht se donte ta helmonte Salianjin por se nuk e zuri helmi. Ndërsa më pas tha se takimi ishte një rastësi.

“Nuk do pyes se çfarë dyshimesh ngjall? Po bënim komplot kundër PD apo… E kisha ftuar zotin Salianjin për kafe që ta helmoja, i kam hedhur edhe helm në kafe por më rezulton që nuk e ka kapur helmi. Përshtypje nuk duhet t’i bëjë kujt sepse këtu ulet kryeministri me kryetarin e opozitës edhe duhet. Nuk e kam mik, ishte një 3 minutësh i rastësishëm. Ishte një gazetar, miku im. Ed Manushi, me çfarë kuptoj është mik me Salianjin. Rastisa në një drekë, pasi unë u ula me Edin, zoti Salianji erdhi. Është një rastësi, as s’duhet trajtuar si çudi”, tha Ahmetaj.