Vendi ndodhet në një situatë shumë të vështirë, në një kohë kur në shumë bashki të vendit të drejtuara nga PD dhe LSI kanë nisur përplasjet para KZAZ-ve. Për ish-deputetin demokrat, Gazmend Oketa përgjegjësi kryesor i rritjes së tensioneve dhe përshkallëzimit të akteve të dhunës është kryeministri Edi Rama.

“Anormaliteti dhe amoraliteti po i shitet këtij populli si gjëra krejt normale me të cilat mund të bashkëjetojmë çdo ditë. Nëse votimet do të mbahen në 30 qershor, Rama do të jetë i vetmi përgjegjës për një traumë shumë të fortë që do të ndodhë në raportet midis kampeve politike”,- thotë Oketa për DurrësLajm.

Ndërsa vë theksin tek përgjimet e dala në media, shtyrjen e negociatave për në tetor, skandalet e shumta që shoqërojnë qeverinë Rama, Oketa nënvizon nëse do të ishim një demokraci funksionale qeveria tashmë do të kishte rënë. Ai thekson se do të ishte mirë që zëra autoritarë brenda së majtës të mbanin qëndrimet e tyre për këto çështje të nxehta të politikës, megjithëse edhe reagimi i tyre i heshtur nënkupton një mesazh.

“Është një reagim i heshtur, meqë në ekranet televizive dalin dhe flasin 24 orë vetëm Rama, Balla dhe Spiropali. Mirë do ishte që shumë zëra autoritarë të PS të reagonin, të mbanin qëndrimet e tyre. Por nga ky reagim i heshtur, kuptohet që Rama kontrollon gjithçka dhe po e çon vendin drejt diktaturës”.

Dy ditë para protestës së 9-të kombëtare të opozitës së bashkuar, Oketa deklaron se “këto protesta shkojnë përtej përfaqësimit të opozitës shqiptare. Shprehet një pakënaqësi totale ndaj qeverisë totale. Duhet një rezistencë dhe bashkim i të gjitha energjive pozitive, duhet të bëhet një shkëputje njëherë e përgjithmonë e politikës me krimin, për ta orientuar politikën drejt problematikave të qytetarëve. Në krahasim me protestat e viteve të kaluara të opozitës, në këto ka frymë, ato janë reagime të njerëzve të revoltuar ndaj keqqeverisjes”.

Ndërsa i bën thirrje çdo qytetari që t’i bashkohet protestës së datës 21 qershor, Oketa mban qëndrim edhe fushatës farsë që po bëhet në Durrës për zgjedhjet lokale.

“Nuk kam parë dhe perceptuar asnjë shenjë fushate. Ku po bëhet kjo fushatë, cilët qytetarë po takohen? Unë lëviz çdo ditë nëpër qytet, por nuk shoh asnjë fushatë”,- thotë ndër të tjera Oketa në intervistën e mëposhtme.

M.B.