Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi ka reaguar pas deklaratave të kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili i quajti qëndrimet e Presidentit Meta dhe ftesën për tubim më 2 mars si “probleme të brendshme të liderishpit brenda opozitës’.
Në një postim në Facebook, Blushi shkruan se Balla është i zënë me punët e Kongresit, ndaj edhe nuk ka mundur të lexojë deklaratat e kolegeve në qeveri, të cilat u shprehën se kanë marrë miratimin e SHBA dhe BE-së për ligjin e betimit të gjyqtarëve.
POSTIMI I PLOTË
I dashur Tao Tao,
Ti je shumë i zënë me punët e Kongresit që po afron dhe s’ke patur kohë të lexosh deklaratat e shoqes Etilda dhe shoqes Spiropali, pas miratimit të ligjit anti-kushtetues të betimit të gjyqtarëve buzë Lanës, me pretendimin absurd se kanë marrë miratimin e SHBA/BE.
Ju po vazhdoni t’i keqpërdorni ambasadorët dhe të fshihni të vërtetën e grushtit të shtetit.
Si mund të thonë ambasadorët të shkelet Kushtetuta?!
Ju e shkelni e thoni na thanë ambasadat!
Si mund të thonë ambasadorët që të vidhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese?!
Ju e vidhni dhe thoni na thanë ambasadorët!
Si mund të thonë ambasadorët falsifikoni në dobi të kapjes së shtetit, siç u kap në flagrancë shoqja Etilda?!
Ju i falsifikoni dhe thoni na thanë ambasadorët!
Presidenti Meta i ka respektuar dhe i respekton denjësisht të gjithë ambasadorët që kanë integritet dhe përfaqësojnë me dinjitet vendet dhe organizatat e tyre, si dhe vlerat e liritë demokratike.
Presidenti Meta në veprimet e tij institucionale kurrë nuk keqpërdor asnjë ambasador dhe diplomat të huaj, por i referohet vetëm Kushtetutës, si ligjit më suprem në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e fundit kushtetuese janë miratuar me 140 vota sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe mbështetjen e SHBA/BE.
Ja provat e fundit si i shpërdoroni ju me pacipësi partnerët tanë të nderuar.