Presidenti nuk duhet të jetë pjesë e familjes kryeministrore dhe e oborrit që rrethon kreun e qeverisë. Jemi kundër çdo emri që vjen nga kreu i ekzekutivit. Ne jemi shumë të vendosur për të zgjedhur një president konsensual, mbi palët dhe të mirëmbështetur nga politika

Në një kohë kur debatet për presidentin dhe takimet mes palëve, të ndjekura nga afër dhe nga faktori ndërkombëtar, nuk kanë prodhuar ende një emër që t’i kënaqë të gjithë, deputeti socialist Blendi Klosi ka theksuar se partia e tij është e vendosur të mos pranojë një kandidaturë të Berishës. Sipas tij një president konsensual nuk mund të dalë nga klani i kryeministrit. Në të njëjtën kohë deputeti Klosi u prononcua edhe për disa çështje që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e sezonit turistik, që megjithëse ka trokitur në derë, duket se nuk ka arritur të shmangë problematikat e viteve të shkuara.

Si e vlerësoni proçesin e deritanishëm për zgjedhjen e presidentit të republikës?

Mendoj se Presidenti duhet të jetë një njeri që të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e gjithë shqiptarëve. Presidenti nuk duhet të jetë pjesë e familjes kryeministrore dhe e oborrit që rrethon kreun e qeverisë. Jemi kundër çdo emri që vjen nga kreu i ekzekutivit. Presidenti duhet të vijë përmes një rruge konsensuale dhe të monitoruar mirë nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ne jemi shumë të vendosur për të zgjedhur një president konsensual, mbi palët dhe të mirëmbështetur nga politika. Berisha mëse njëherë ka këmbëngulur se Presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës, por përmes të besuarve të tij ka deklaruar se nuk ka as interpretim të Kushtetutës për çështjen e kuorumit prej 84 votash, për të hapur votimin në tre raundet e para.

Cili është komenti juaj për ligjet me shumicë të cilësuar që kërkojnë tre të pestat?

Ne kemi ofruar propozime konkrete që do të jenë pjesë e diskutimeve parlamentare, në komisione e pastaj në Parlament. Kjo nuk do të shërbejë vetëm për të miratuar ligje për faktin e thjeshtë se duhet te miratohen me 3/5, por se do t'i shërbejnë forcimit të shtetit. Ligjet me 3/5 s'janë ligje për forcat politike, por janë ligje për forcimin e shtetit në Shqipëri. PS-ja do të jetë prezente me propozime konkrete për çdo draft ligjor që qeveria do të sjellë në Kuvend. Qëndrimet në Parlament dhe detajimi i programit politik të PS-së ka qenë dhe do të jetë pjesë e strategjisë së selisë rozë për 2012, për t'i treguar shqiptarëve se, një vit përpara zgjedhjeve, Partia Socialiste ka një alternativë politike.

mendoni se djathtas po formatohet një forcë e re politike që mund të krahasohet me LSI-në në kampin e majtë?

Nuk mund të komentoj në lidhje me këtë çështje, por mund të them vetëm se PD-ja është një parti që ka humbur shumë kuota për shkak të qeverisjes së mbrapshtë Berisha dhe është kthyer në një forcë politike të mbyllur, ku mungojnë zërat dhe mendimet ndryshe. Mendoj se çdo alternativë tjetër në kampin e djathtë do të ishte më e mirë se PD-ja aktuale. Përsa i përket krahasimeve mendoj se nuk është momenti për paralele.

A e keni ndjekur proçesin e hartimit të draftbuxhetit dhe miratimit të tij në Bashkinë e Durrësit?

Natyrisht që e kam ndjekur. Ka qenë një proçes i zgjatur përsa i përket draftbuxhetit, jo për faj të bashkisë së Durrësit, por të faktorëve të tjerë objektivë që kanë të bëjnë me vendimin e qeverisë të muajit shkurt dhe faktorë të tjerë. Mendoj se kartonat e mazhorancës kushtëzuan buxhetin e bashkisë së Durrësit, në një kohë që qeverisja po vazhdon që t´i vërë shkopij nën rrota pushtetit lokal. Mjafton t´ju përmend bllokimin e një projekti të rëndësishëm si rruga hyrëse e Durrësit apo ndërhyrjen e paprecedent që ju bë projektit për portin e peshkimit. Në fakt, politika bllokuese nga ana e qeverisë nuk po aplikohen vetëm në bashkinë e Durrësit, por në të gjitha bashkitë dhe komunat ku drejtojnë socialistët.

Si e shpjegoni që nuk u realizua plani i vitit të kaluar për të ardhurat?

Unë mendoj se bashkia ka bërë maksimumin, por kanë qenë disa faktorë realë dhe objektivë që kanë ndikuar në këtë drejtim. Mjafton që t´ju përmend bllokimin e KRRT-së apo dhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar negativisht. Gjithsesi bashkia e Durrësit ka ditur që t´i ndërrojë pamjen qytetit të Durrësit duke realizuar disa projekte të rëndësishme që po e kthejnë në një qytet perëndimor. Shikoni hyrjen e Durrësit, qendrën, lagjet e qytetit dhe veçanërisht periferinë për të kuptuar se çfarë ka bërë Bashkia e Durrësit.

A e keni këshilluar si deputet kryebashkiakun Dako që të mendojë më shumë për plazhet publike në sezonin e ri?

Nuk kam arsye se pse ta këshilloj. Bashkia ka ditur që ta respektojë këtë raport. Natyrisht që duhen respektuar si qytetarët që nuk kanë mundësi financiare të pushojnë në plazhe private, ashtu dhe biznesi privat që krijon kushte ideale për pushuesit. Mendoj se pushteti lokal e ka pasur parasysh këtë raport dhe jam i bindur se dhe në këtë sezon do të ketë përsëri hapësira, si përsa i përket plazheve publike dhe atyre private.

A mendoni se Bashkia e Durrësit i ka marrë masat për sezonin e ri turistik, kur shikojmë që akoma nuk janë zgjidhur disa nga problemet elementare si banjot publike, pikat e rojes bregdetare etj?

Nga informacioni që kam bashkia ka nisur me intensitet punën për pastrimin e plazhit të Durrësit. Natyrisht që janë në projekt dhe punë të tjera që kanë qenë të kushtëzuara nga mungesa e buxhetit. Qytetarët durrsakë e dinë mirë se çfarë performance ka bashkia, pasi për këtë i dhanë dhe votën. Të jeni të bindur se bashkia do të garantojë një sezon të suksesshëm turistik.