Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nga protesta e banorëve të Unazës së Re i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga vendimi për projektin që ajo e konsideron të paligjshëm.

Teksa qëndron përkrah banorëve, Kryemadhi thekson se me projektin për Unazën e Re, Rama po përdor dy standarde. Ajo i bëri thirrje Ramës që mos t’i afrohet banesave të qytetarëve.

"Projekti për të cilin Edi Rama kërkon të bëjë mbi Unazën e Re është një projekt që vjedh përmes e shqiptarëve edhe tregon se është i papërgjegjshëm dhe kriminal. Këtu kam një hartë, dhe këtu duket vija e kuqe, ku tregohet se ka mbaruar rruga (shpjegon hartën). Këtu s’ka as ishull, e as rrugë. Pranë vijës së kuqe është një pronë, që është e Damian Gjiknurit, si ministër them. Pronat e shqiptarëve nuk i konsiderojnë gjë, rruga spostohet nga hallexhinjtë. Njëri standard është se Rama ble me paratë e drogës, dhe standardi tjetër që i nxjerr njerëzit jashtë. Duhet ta kuptojë shumë mirë ai se shqiptarët e toleruan me votën. I bëj atij thirrje (Ramës) dhe Afrim Qëndros dhe tre kompanive, që janë të lidhura me krimin, që mos t’u afrohet banesave të qytetarëve. I bëj thirrje Salillarit, që mos u ngopte inshalla, se i mori të gjithë projektet. Sot nuk ka drejtësi, që të çon në prokurori gra dhe fëmijë", tha Kryemadhi.