Bledar Okshtuni, simpatizant i Partisë Demokratike, u qëllua këtë pasdite me armë zjarri brenda zyrës elektorale në Kavajë. I riu që shihni në foto është pikërisht 27-vjeçari që mbeti i plagosur.

Më herët, policia shpalli në kërkim shtetasin Ndriçim Jonuzi, me mbiemër të ndryshuar Tahiri, një person me precedentë penalë, i cili akuzohet si autor i plagosjes.

Kandidatja për deputete Grida Duma denoncoi edhe shtetasit Markel Shtylla dhe Dorian Troplini, si të implikuar në ngjarje.

Nga të dhënat e para nga terreni, rezulton se Ndriçim Jonuzi allias Ndriçim Tahiri, rezulton me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës, ndërsa në 2007 është dënuar me 8 vite heqje lirie dhe ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai u fsheh në zonën e Kavajës deri kur u arrestua në 2014.

“Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti  për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik  dhe  ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.” – njoftoi më herët policia.