Kreu i shtetit, Ilir Meta ka shkuar në ambientet e Presidencës që në orën 05:00 të mëngjesit, duke i qëndruar besnik orarit, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe në letrën dërguar dje kryeministrit Edi Rama.

Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Meta ka nisur lëvizjet dhe po përpiqet të ulë në tryezë mazhorancën dhe opozitën. 

Mbrëmjen e djeshme, Kreu i Shtetit iu drejtua me një letër kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkoi takim me qëllim tejkalimin e krizës politike, por shefi i qeverisë mohoi në formë kategorike ftesën e kreut të Shtetit, Ilir Meta me arsyetimin se është i zënë me fushatën elektorale të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kryedemokrati Lulzim Basha nga ana e tij ka pranuar menjëherë ftesën e Metës, ndërsa lajmi u konfirmua të mërkurën në mbrëmje nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi. Takimi Meta-Basha pritet të mbahet më ambientet e Presidencës duke nisur nga ora nëntë.