Presidenti Ilir Meta ka apeluar sërish aktorët politike që t’iu qëndrojnë strikt marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore.

Teksa ka publikuar një grafik me renditjen e Shqipërisë përkrah vendeve të konfliktit për numrin e azilkërkuesve në vendet e BE, Meta thotë se Shqipëria nuk e meriton të renditet midis këtyre vendeve!

“Shqipëria meriton vetëm të ardhme europiane! Mjaft me Drejtimin e Gabuar të autoritarizmit, arrogancës, korrupsionit dhe marrëzisë, që po i varfëron dhe po i lodh kaq shumë shqiptarët, duke i detyruar të largohen nga vendi. Hapi i parë për rikthimin në Drejtimin e Duhur është respektimi pikë për pikë i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mos devijimi prej saj as një milimetër“, shkruan Meta.

Ai apelon më tej që t’u rikthehet shpresa qytetarëve, duke e rikthyer sovranitetin në duart e popullit me hapjen e listave 100% dhe plotësimin e të gjitha kushteve të BE.

Klasa politike mbetet akoma e ndarë për çështjen e hapjes së listave dhe koalicionet parazgjedhore. Ndërkohë mazhoranca nga ana tjetër është e vendosur për të shtyrë përpara këtë proces sipas propozimeve të saj, edhe pa konsensusin e opozitës jashtëparlamentare.