Iniciativës së mazhorancës për shkarkim të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pas vendimit të tij për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 Qershorit, Presidenti u është përgjigjur me një sfidë, “zgjidhim krizën, unë-presidenti largohet”.

“Unë nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë. Unë jam vetëofruar siç e dini edhe ju, që nga deklarata e Pogradecit dhe në vazhdimësi për ta lënë këtë detyrë, postin tim, dhe gjithmonë i gatshëm që kjo sakrificë të bëhet në emër të një zgjidhje të kësaj krize dhe që gjithçka të funksionojë normalisht dhe në mënyrë demokratike në vend. Nuk e kuptoj, u intereson zgjidhja e krizës apo shkarkimi i Presidentit? Po qe se u intereson shkarkimi i Presidentit kjo është shumë e lehtë. Hajde zgjidhim krizën, ikën Presidenti. Nuk ka asnjë problem.”

Ndërsa lidhur me aludimet se është ndikuar nga Basha, Berisha, apo qoftë edhe Monika Kryemadhi, Meta tha:

“Për sa i takon çështjes nëse vendimi është influencuar nga Basha dhe nga Berisha, ja po e shtoj edhe unë këtë nga Monika, nëse dikush nuk donte ta thoshte për etikë. Absolutisht. Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh në orën 7:10 apo 7:15, përmes një telefonate zyrtare. Për dijeninë tuaj, Basha nuk e ka ditur, por le ta marrë vesh tani, ajo bisedë është e regjistruar përmes sekretarisë telefonike, ku i është kërkuar të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të kishte manifestime dhune.”