Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i akuzuar për “kallëzim të rremë” dhe i marrë i pandehur për dosjen “Xhafaj-Babale” ka publikuar sot një bisedë të re, në lidhje me këtë ngjarje dhe thotë se Fredi Alizoti ka marrë para nga kreu i policisë së Fierit, Albert Nushi.

Bëhet fjalë për një bisedë audio i publikuar në Facebook, për të cilën Salianji thotë se është pjesë e përgjimeve të prokurorisë shqiptare. Bëhet fjalë për një një bisedë audio mes dy personave që sipas Salianjit, janë drejtori i Policisë së Fierit Albert Nushi dhe ai që e quan “dëshmitar të fabrikuar të qeverisë”, Fredi Alizoti.

Komunikimi mes tyre është zhvilluar më 08.06 2018, pasi Alizoti ka dhënë dëshminë e rreme, siç thotë Salianji. Biseda mes të tyre zhvillohet me tone të ashpra e të shara, aq sa ish-deputeti e cilëson “komunikim +18”. Në përgjimin e publikuar nga ish-deputeti Ervin Salianji, dëgjohet Alizoti që i kërkon para dhe drejtori i policisë i thotë se do të nisë dikë t’ia çojë paratë.

“Piovra. Episodi 1.Në pafundësinë e komunikimeve mes zyrtarëve të policisë dhe deshmitarit të sajuar për Xhafajgate!Komunikimi ne 00:30 të natës mes drejtorit të policisë Fier dhe Alizotit pasi ka dhënë dëshminê e sajuar! Përgjimi është zyrtar i Prokurorisë, komunikim +18”,– shkruan ai.

Fredi Alizoti është njeriu që dyshohet se në audiopërgjimin e njohur si Babalja, imitoi zerin e vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj, Agronit. Për akuzën “kallëzim i rremë” Prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest me burg’ për të. Nga PD ka pasur akuza se Fredi Alizoti ishte blerë dhe shantazhuar nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas akuzave për përfshirje të vëllait të tij Agron Xhafaj në pazare droge. Ai madje është detyruar të japë dëshmi të tjera të rreme, sipas tyre.