Bashkia Durrës, së bashku me 11 Bashki të tjera të Shqipërisë është pjesë e Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor ReLOaD, i cili financohet nga Bashkimi Evropian nga Instrumentet e Asistencës së Paraantarësimit (IPA), koordinohet nga Programi për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (PNUD) dhe zbatohet nga Bashkia. Ky Projekt ka si qëllim të forcojë demokracinë pjesëmarrëse dhe proçesin e integrimit evropian, nëpërmjet fuqizimit të shoqërisë civile. Zbatimi i ReLOaD, ka nisur më datë 1 Nëntor 2017, me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Kryetarit të Bashkisë  Z. Vangjush Dako dhe Drejtoreshës së PNUD-it, në të cilin janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve respektive.

Gjatë zhvillimit të programit Bashkia Durrës në bashkëpunim me PNUD ka mbyllur me sukses shpalljen e thirrjes së parë, nga e cila dolën fituese 3 organizata të shoqërisë civile që vazhdojnë të zbatojnë projektet e tyre në përputhje me prioritetet e Bashkisë.

Për këtë qëllim më datë 08 Shkurt 2019, në Sallën e Këshillit Bashkia, Durrës, u organizua takimi i dytë konsultativ, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë dhe të PNUD-it, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si CSDC, Word Vision, Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të ardhmen”, Shoqata e grave me probleme Sociale dhe përfaqësues nga shumë organizita të tjera lokale aktive në qytetin e Durrësit.

Në fillim të takimit të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile bënë një prezantim të shkurtër të fushës së veprimtarisë së organizatave duke u ndalur edhe në eksperiencat e tyre të bashkëpunimit me pushtetin vendor. Më pas, gjatë takimit përfaqësuesja e PNUD-it, bëri një prezantim mbi vazhdimësinë e projektit ReLOaD duke u ndalur gjithashtu në proçedurat për shpalljen e thirrjes së dytë. Mbas prezantimit të përfaqësueses së PNUND-it, fjalën e morën përfaqësuesit e Bashkisë, të cilët prezantuan shkurtimisht prioritetet e Bashkisë, që do të jenë të vlefshme për projekt-propozimet që do të paraqiten nga organizatat e shoqërisë civile në kuadër të thirrjes së dytë.

Më tej, takimi vazhdoi me diskutimin ndërmjet pjesëmarrësve, me qëllim përcaktimin e prioriteteve për thirrjen e dytë, e cila do të shpallet gjatë muajit Shkurt 2019. Në fund të takimit, të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile zgjodhën me votim të hapur prioritetet për thirrjen e dytë, të cilat do të fokusohen në fushën e shërbimit social, rinisë, turizmit dhe mjedisit.