Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në Vlorë për të parë nga afër situatën e përmbytjeve në qytet pas reshjeve intensive të shiut.

I shoqëruara nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryebashkiakun Dritan Leli, Rama shprehet se është punuar shumë që Vlora të ketë një rrjet kanalizimesh të rregullt dhe pa probleme.

Ndërsa, sipas tij deri më tani janë 3 projekte të cilat po shkojnë drejt finalizimit që kanë të bëjnë me përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve.

Ndër të tjera, Rama ka theksuar se është bërë një punë e madhe në qytetin bregdetar e reshjet e fundit ishin një test për projektet e kryera dhe punën e bërë. Sipas kryeministrit edhe Parisi përmbytet kur reshjet janë intesive.

Pjesë nga  bashkëbisedimi:

Dritan Leli: Në bulevard, investimi ka funksionuar dhe po funksionon. Skuadra jonë po punon në bulevard. Ne po mbarojmë situatën problematike në Skelë dhe problematikën që shkaktohet nga reshjet në bulevardin “Ismail Qemali”. Kemi pastruar më shumë se 50 për qind e kanaleve kulluese në territorin e Bashkisë Vlorë.

Edi Rama: Duhet të mbyllet cikli i kanalizimeve, në rast se nuk ka reshje shumë intensive. Reshjet intensive përmbyt edhe Parisin. Në Vlorë kemi 3 projekte akoma, që do mbyllin gjithë ciklin. Reshjet në këta ditë ishin test se çfarë progresi është bërë për mbrojtjen nga uji në territor. Janë pastruar shumë kanale. Problem ishte fryrja e Vjosës. Duhen hequr kënetat.

Dritan Leli: Do të vendosim bokse betoni, që do të ndërpresin ujërat. Gjashtë vjet më parë, sistemi i kanalizimeve ishte kalbëzuar, ndërsa sot sistemi i kanalizimeve është llogaritur nga inxhinierët.

Belinda Balluku: Me fondin e akorduar, nis nga puna edhe vendosja e bokseve të betonit, që të marrë fund përmbytja e çdo mënyre. Një fond tjetër është përgatitur sa i përket ujësjellësit.

Edi Rama: Ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka me kapacitetet që kemi sigurisht. Duhet durim që të bëhen të gjitha. Të fundit kanalizime kanë qenë në vitet 1980, pastaj nuk ka pasur më në demokraci. Ujë në Vlorë do ketë 24 orë në ditë, që të jemi të saktë.

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

Vlorë – Pavarësisht reshjeve shumë të dendura, largimi i ujit ndryshe nga çfarë ndodhte deri para disa vitesh ishte i shpejtë dhe ndërkohë do të vijohet me 3 projektet e fundit që mbyllin zinxhirin e investimeve për kanalizimet dhe lehtësimin maksimal të ngarkesës së ujit në kohë reshjesh intensive.