Kandidatja e Bindjes Demokratike, Valbona Sakollari shprehet e indinjuar nga përmbajtja e përgjimeve të publikuara të hënën nga e përditshmja gjermane Bild.

Sipas saj, këto përgjime janë dëshmi të sistemit 30-vjeçar të instaluar nga të gjitha palët politike, sistem ky që i bën presion dhe e flak çdo individ në rrugë nëse nuk jep votën për atë që dikton partia.

Sakollari sjell në vëmendje një rast konkret kur gjatë takimeve në terren, një grua e ka pyetur nëse do t’i jepte para për votimet. Kandidatja e BD-së shpreson që të paktën në këto zgjedhje të mos paguhen më para për blerjen e votave, por ato të përkthehen në investime për qytetarët.

Kandidatja e Bindjes Demokratike thekson se duhet të kthehet në normë për të gjithë shqiptarët që fenomeni i shit-blerjes së votës është antiligjor dhe secili duhet të shprehë para kutive së votimit vullnetin e tij për kandidatin që preferon më shumë, duke ndëshkuar një herë e mirë këdo aktor politik që kundrejt një shume parash blen lirinë themelore të çdo qytetari, të drejtën për të votuar.

M.B.