Ministria për Europën dhe Punët e Jashtne njoftoi për refuzimin që Marija Obradović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëadministrimit Lokal në Serbi, i bëri në seancën pleanare të Parlamentit të Serbisë, propozimit të Kuvendit Komunal të Bujanovcit, që Gent Cakaj, Ministër në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, i Shqipërisë, të shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanovcit, bashkisë në Luginën e Preshevës.  

Njoftimi citon Ministren Obradović të ketë paraqitur në parlamentin serb propozimin e “26 këshilltarëve komunalë të Bajanovcit, që kanë vepruar në mënyrë ligjore dhe si ministre do të duhej të nënshkruaja propozimin” citohet të ketë thënë ajo dje në seancën plenare.

“Por unë kam nënshkruar vendimin me të cilin refuzohet, propozimi i Kuvendit Komunal të Bujanocit, që Ministri shqiptar, Gent Cakaj, të shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanocit” citon ministren Marija Obradović, njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Seancë pleanare e Parlamentit të Serbisë

Njoftimi bën me dije se sipas MInistres Obradović, shkak për refuzimin e propozimit të sipër përmendur janë “deklaratat dhe akuzat e vazhdueshme të ministrit në detyrë Gent Cakaj ndaj Serbisë për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ministri Gent Cakaj, ka deklaruar se gjatë luftës në Kosovë, Serbia është përgjegjëse për vrasjen e mijëra shqiptarëve, për deportimin e miliona shqiptarëve dhe djegien e mijëra shtëpive. Nuk mund të nënshkruaj një dokument për një ministër shqiptar që akuzon Serbinë. Ndërkohë që jam e vetëdijshme që ministri Cakaj, i ka ndihmuar shqiptarët për krijimin e koalicionit për zgjedhjet parlamentare.”citon njoftimi ministren Marija Obradović.

Bujanovci është njëra nga tri bashkitë në Luginën e Preshevës, në Serbinë Jugore, në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë, ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve nën administrimin e Serbisë. Në Luginën e Preshevës, të përbërë nga bashkia e Bujanovcit, Pteshevës dhe Medvegjës, shumica e popullsisë totale prej 76.300 mijë banorësh të Luginës së Preshevës, janë shqiptarë, kurse pjesa tjetër serbë dhe romë.

Shqetësim për fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Refuzimi nga autoritetet serbe i dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i Bujanovcit, ministrit në detyrë Gent Cakaj vjem pak ditë pas një deklarate të përbashkët të tij dhe Meliza Haradinaj-Stublla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në Kosovë,  lidhur me procesin e fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Burime zyrtare nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, citojnë dy ministrat të cilësojnë “të qëllimshme fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për të krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike në atë hapësië dhe numrit të shqiptarëve në Serbi, por edhe shkelur  rrënjësisht të drejtat e liritë e tyre themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës”

Të njëjtat burime bëjnë me dije se Cakaj dhe Haradinaj u bëjnë thirrje institucioneve ndërkombëtare për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare të veprojnë për të parandaluar fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, paralajmërojnë se ky veprim ka “pasoja afatgjata politike, shoqërore dhe institucionale ndaj të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë mbesin të përkushtuara për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe besojnë thellësisht në të ardhmen evropiane të gjithë Ballkanit Perëndimor. Kjo nënkupton, para së gjithash, njohje të ndërsjellë, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të standardeve demokratike, citojnë burimet  deklaratën e përbashkët të ministrave Cakaj dhe Haradinaj-Stublla. /DW