Kreu i PD-së për degën e Durrësit, Ferdinand Xhaferraj, në konferencën e mbajtur sot për shtyp në lidhje me problemet e fillimit të vitit të ri shkollor, u ndal në akuza edhe për Adrian Çelën e kryeministrin Rama, pas caktimit të kreut të OSHEE-së si koordinator i PS në qytetin bregdetar për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Xhaferrajt, “Kthimi te Çela, i aferave të rënda të korrupsionit bashkë me krimin e organizuar dëshmon dëshpërimin dhe braktisjen që i është bërë Edi Ramës. Çelës i fillojnë dosjet e korrupsionit që nga viti 2010 kur ishte nënkryetar bashkie dhe deri tek OSHEE-ja”.

Sot ata janë një çetë e vogël dhe e pashpresë, sepse e kanë grabitur, e kanë rrënuar këtë qytet dhe gjithë Shqipërinë. Sot Rama ka kundër socialistë, demokratë e qytetarë”, tha Xhaferraj.

Në lidhje me deklaratën e kreut të qeverisë se kërkon të fitojë 74 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, kreu i demokratëve durrsakë, thotë se Ramës e vetmja zgjidhje që i ka mbetur në dorë, është të vendosë mënyrën se si të largohet.

“E kuptoni ku është katandisur? Në çdo fjalë që thotë, bën autogol. Për çfarë i do 74 deputetë, kur sot ka 140 deputetë, ka komplet Parlamentin, komplet qeverinë, komplet qeverisjen vendore dhe çfarë po bën?! Qytetarët janë shumë të acaruar, shumë të agravuar.. e vetmja gjë që i ka ngelur në dorë Ramës, është të vendosë se si do të ikë…”, deklaroi Xhaferraj.