Procesi i rindërtimit në qytetin e Durrësit duket se ka mbetur në vendnumëro. Edhe pse 15 muaj nga tërmeti akoma nuk ka  nisur proçesi i rindërtimit në qytetin bregdetar.

Kreu i PD dega Durrës, Ferdinand Xhaferraj ditën e sotme ka denoncuar dështimin e këtij proçesi. Ndër të tjera Xhaferraj thotë se 3 janë arsyet pse kryeministri ka dështuar.

Kujtojmë se 1036 banesa individuale pritet të rindërtohen dhe të shemben një numër i konsiderueshëm pallatesh.

“Ky shesh sikundër 36 sheshe të tjera në Durrës është realiteti ku përplaset dhe del lakuriq e gjithë propaganda e Ramës me rindërtimin. Kanë kaluar 15 muaj nga tërmeti dhe Rama ka dështuar në mënyrën më të turpshme me rindërtimin dhe pse:

E para: Ka dështuar sepse nuk vrau tërmeti, por benjaminët e Ramës, që babëzia për para i bëri të jepnin leje duke masakruar ligjin.

E dyta: Rama ka dështuar se në 36 pallate DS5 të prishura, ka nisur rindërtimin vetëm për dy prej tyre.

E treta: Rama ka dështuar edhe nga 103 pallate DS4, nga të cilat nuk ka nisur rindërtimi për asnjë prej tyre.”- tha Xhaferraj.

Xhaferraj theksoi se BE i dha mbi 1 mld euro popullit shqiptar dhe Rama e ka borxh Durrësit, të vijë dhe t’i thotë se ka shpërndare vetëm thërrimet, se miliardat shkuan për klientët e tij.

Në lidhje me pallatet që janë miratuar në Këshillin Bashkiak në  qytet janë 19 për prishje dhe për t’u rindertuar në të njëjtin vend,  ndërsa në Sukth 10 pallate janë miratuar për prishje, në Katundin e ri 3 pallate për prishje ndërsa në Manez 8 pallate të cilat do të transferohen tek siti i ri Manëz.