Ministri i Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajčák, njëherësh kryetar i radhës i OSBE, ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në konferencën e përbashkët për mediat me ministrin në detyrë Gent Cakaj, zyrtari i lartë i OSBE komentoi edhe protestën e 7 kombëtare të opozitës së bashkuar mbajtur ditën e djeshme, ku theksoi se vazhdimi i protestave të dhunshme do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reforma.

"Dëshiroj të theksoj se institucionet e forta me një parlament efikas janë gurët themelorë të demokracisë dhe janë të qenësishëm për stabilitetin e shtetit ligjor. Nxis aktorët politik të angazhohen në forcimin e këtyre institucioneve. Protestat paqësore janë një e drejtë themelore që duhen respektuar. Dallimet duhet të debatohen në Parlament nga të gjithë përfaqësuesit përfshirë dhe opozitën. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik, përkundrazi ato heqin çdo shans për dialog dhe çdo shans për të gjetur një terren të përbashkët. Dua të them hapur se vazhdimi i protestave të dhunshme do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reforma dhe padyshim do të pengojë për realizimin e përparësive të brendshme dhe ndërkombëtare."