·        Anëtari i Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së: “Qytetet e mëdha, përfshirë dhe Durrësin, kanë nevojë për një figurë, të cilën demokratët, që janë edhe masa e stërmadhe, baza e qendrës së djathtë, ta ndiejnë të tyren. Mendoj që nuk mund të jetë një figurë që vjen nga Partia Demokristiane, Partia Republikane, dhe pse mund të qëllojnë figura interesante, që kanë rrethin e tyre, që mund të kenë biografi politike të larmishme ose të njëtrajtshme”

DURRËS, 27 shkurt 2015 – Në një intervistë për tv Vizion Plus, lidhur me kandidimin e mundshëm të deputetit republikan Agron Duka për bashkinë e Durrësit, anëtari i Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së Genc Pollo i pret drutë shkurt:

“Ka një përvojë të konsoliduar dhe nuk kemi nevojë për shpikje të reja. PD-ja dhe strukturat e saj në çdo bashki japin emrat e kandidatëve, që janë anëtarë të PD-së ose të personaliteteve të afërta me PD-në dhe jo detyrimisht të partive aleate. Pastaj në qendër [Tiranë] mund të shikohet ndonjë kombinim i mundshëm. Në mënyrën si kanë ecur punët në PD dhe qendrën e djathtë, që kandidatët kryesorë në bashkitë e mëdha kanë ardhur gjithmonë nga PD-ja. Ky ka qenë rregulli dhe nuk kemi ndonjë situatë të re për ta ndryshuar”.

RISKU I MADH NGA TRILLET INDIVIDUALE

Gjysmë-përmetar-durrsaku Pollo, natyrisht, jo nga koka e vet, por me porosi të SHQUP-it, sqaron spekulimet në medie:

 “Unë mendoj që qytetet e mëdha, përfshirë dhe Durrësin, kanë nevojë për një figurë, të cilën demokratët, që janë edhe masa e stërmadhe, baza e qendrës së djathtë, ta ndiejnë të tyren. Mendoj që nuk mund të jetë një figurë që vjen nga Partia Demokristiane, Partia Republikane, dhe pse mund të qëllojnë figura interesante, që kanë rrethin e tyre, që mund të kenë biografi politike të larmishme ose të njëtrajtshme. Nuk po gjykoj individë të veçantë. Por në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Elbasan, për rrethanat konkrete që kemi, mendojmë që kandidatët do të vijnë dhe duhet të vijnë, në interes të së djathtës, në interes të opozitës, nga PD-ja. Natyrisht, ka vend për hapësira, kompromise. Por mendoj se do të ishte me risk të madh që të rrezikohej, me trille individuale, një bashki si Durrësi, Shkodra, Elbasani, aq më pak Tirana”.

EDHE PO TA BEKOJNË BASHA, KRYESIA, BERISHA

Pollo arsyeton lidhur me arsyet pse për bashkitë e mëdha, përfshirë dhe Durrësin, duhet  t’i përfaqësojnë figura demokrate, duke nënvizuar se kandidatët nga partitë aleate janë një eksperiment me risk të lartë, që sjellin një ftohje të elektoratit t djathtë, i cili mbi 90 për qind, është i PD-së:  “Besoj, për rrethanat faktike të elektoratit të djathtë, bëhet e domosdoshme që kandidati i qendrës së djathtë për bashkitë e mëdha me një traditë të konsoliduar elektorale, për të rritur shanset e fitores, do të duhej një kandidat që vjen nga PD-ja, apo ndonjë figurë e afërt me PD-në, por si propozim i PD-së. Ndryshe, do të ishte një eksperiment me risk të lartë dhe pa asnjë lloj leverdie, gjë që i kushton një humbje. I kushton një ftohje të elektoratit të madh të qendrës së djathtë, i cili është nëntëdhjetë për qind, mos më shumë, i PD-së. Një figurë e huaj për të [elektoratin e PD-së], sado që atë ta bekojë Lulzim Basha, Kryesia e PD-së, z. Berisha, kur nuk “ngjit”, nuk “ngjit”. Besoj se udhëheqja e PD-së është shumë e ndjeshme, dhe më të drejtë dhe nuk është hera e parë e ndjeshme ndaj një sentimenti të bazës së partisë”.

“FIROT” 30-40 PËR QIND  

Deputeti Genc Pollo pranon edhe kandidaturat e gabuara demokrate, pasi me sa duket, në SHQUP kanë frikë dhe nga ndonjë abstenim i 30-40 për qind të elektoratit:

“Mund të ndodhë që të jetë vënë një kandidat krejt i papërshtatshëm, dhe gabime kanë ndodhur që janë bërë. Por nga ajo masë që gjithmonë vjen ditën e diel dhe hedh votën në kuti, tridhjetë apo dyzet për qind e saj, e ftohur nga kandidatura apo rrethana të tjera, nuk shkon të votojë. E kujt është leverdia?!”

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/