TIRANE– Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo prezantoi disa nga arritjet e dikasterit që ai përfaqëson për vitin që lamë pas. Në një konferencë për mediat, Pollo theksoi se viti 2012 u mundësoi 3 operatorëve mobilë të funksionojnë me rrjetin 3G, duke rritur disponueshmërinë e internetit broadband në celularin e gjithsecilit.
“Viti 2012 ishte një vit i ngjeshur, plot ngjarje dhe arritje. Ajo që ishte e re në fund të vitit dhe jo në një ditë çfarëdo, por në 28 nëntor 2012, ishte lançimi i portalit e-albania.al. Është portali qeveritar ku do të integrohen të gjitha shërbimet, ndërfaqet, ëebsite-t e institucioneve zyrtare shqiptare dhe me të është hedhur një hap i rëndësishëm i Shqipërisë Digjitale. Ne presim që në javët e ardhshme në këtë portal të integrohen dy shërbimet e para on line, që është aplikimi për patentën e shoferit, pra lejen e drejtimit të automjetit, si dhe aplikimi i maturantëve për tu pranuar në shkollat e larta” tha Pollo.
Sipas ministrit Pollo siguria në internet ka qënë nga pikat kyçe të ndërmarrë nga qeveria.
“Ne kemi punuar me operatorët mobilë që ata të përgatisin një protokoll veprimi me çdo klient, me çdo pajtimtar të tyrin dhe tashmë kjo është gati. Në fillim të muajit të ardhshëm do të nënshkruajmë marrëveshjen me operatorët mobilë, pikërisht që gjithkush të jetë i informuar dhe të ketë kujdes, sidomos në radhë të parë tek fëmijët, në mënyrë që gjithkush të përfitojë dhe askush të mos dëmtohet prej përmbajtjeve të papërshtatshme në internet”- përfundoi Ministri Pollo.