TIRANE – Ministri i Inovacionit Genc Pollo tha sot se Instituti i Statistikave i ka botuar shifrat e përqindjet e papunësisë, por sipas tij “Rama ka probleme me aritmetikën dhe nocionet bazë të demografisë”. Ministri deklaroi se papunësia sipas Censusit 2001, një dekadë më parë, u botua tre vjet më vonë, pasi kaq kohë u desh për përpunimin e të dhënave. 

“Me Censusin 2011, ky përpunim do të marrë dy vjet dhe papunësia do të publikohet në shtator 2013. Zoti Rama mund të kishte komentuar rezultatet e publikuara të Censusit që dëshmojnë zhvillimin dinamik social-ekonomik në Shqipëri. Por duke iu shmangur kësaj e duke insistuar se në vend kemi 1 milion të papunë ose 58.5% e popullsisë aktive, Edi Rama insiston të dëshmojë se ka probleme akute me aritmetikën fillestare pa folur për nocionet bazë të demografisë“,- u shpreh ministri Pollo. 

Reagimi i ministrit Pollo erdhi pas akuzave që bëri sot lideri i opozitës Edi Rama i cili tha se kryeministri Berisha ka marrë nën varësi INSTAT-in, dhe në të dhënat e Censusit u fshehu shqiptarëve papunësinë. 

Sipas Ramës, qeveria ka hequr dorë nga vlerësimet zyrtare të varfërisë qysh prej 2008. “Nuk ka guxim ta vlerësojë varfërinë e të shpallë shifra për gjendjen e saj”- tha lideri i selisë rozë.