Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka zhvilluar ditën e sotme, pranë ambienteve të selisë qendrore të Frontex, në Varshavë, një takim me drejtorin ekzekutiv të Frontex, Fabrice Leggeri. Qëllimi i takimit ishte rishikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit operacional ndërmjet Frontex dhe Policisë së Shtetit. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe nëndrejtori i Frontex, Berndt Korner, drejtuesi i sallës operacionale të Frontex, shefi i sektorit të analizës së rrezikut, si edhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij institucioni. Drejtori i Policisë së Shtetit në këtë takim shoqërohej nga drejtori i përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin, Genc Merepeza.
Në takim u diskutua mbi vështirësitë që paraqet përballimi i flukseve të reja migratore nga vendet e prekura nga lufta në drejtim të vendeve të rajonit tonë dhe më pas të atyre të Evropës Veriore dhe Perëndimore. Të pranishmit në këtë takim diskutuan gjithashtu mbi mundësimin e rritjes së bashkëpunimit midis Frontex dhe vendeve të tjera, të cilat nuk janë anëtare të BE.
Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i garantoi të pranishmit në takim mbi angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit, edhe në kuadrin e bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, në përballimin dhe shkëmbimin e informacionit sa i përket atyre fenomeneve që kanë të bëjnë me emigracionin e paligjshëm.





