POLONI, 7 maj 2013– Në Poloni është e mundur pothuajse pa dënim të blihet foshnjë e sapolindur edhe atë për vetëm 480 euro, transmetuan mediat çeke, duke iu referuar javores polake "Njusvik", e cila vlerëson se ky "biznes" po lulëzon në Internet. Trafikimi i ligjshëm me foshnja, siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Praga, është mundësuar me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Kodit Penal (KP) me të cilin shitja e foshnjave nuk është përfshirë në kategorinë e trafikimit të njerëzve dhe sipas kësaj nuk është e dënueshme.
Sipas ndryshimeve në KP, për vepër penale konsiderohet shitja e njerëzve me qëllim të shfrytëzohet puna e tyre, për lypje, prostitucion etj. "Në ligjin e ndryshuar, nuk ka asnjë fjalë për dënim për personin, i cili ka shitur ose ka blerë foshnje të sapolindur për t'u kujdesur dhe për ta edukuar. Që do të thotë nëse nuk është i ndaluar aktiviteti, nuk është as i dënueshëm", shkruan javorja. Vakumi i tillë juridik kontribuon për rritje të pakontrolluar të trafikimit me foshnja në Poloni në kohën e fundit. Shpalljet për blerjen ose shirjen e foshnjave publikohen në internet edhe pse në to nuk përmenden çmime konkrete.
Reporterët e "Njusvik", të cilët kanë treguar interes fiktiv për blerje të fëmijëve, kanë zbuluar se kjo është e mundshme për rreth 480 euro, përderisa nëna-zëvendësuese i ka ofruar çmimet e saja për 1.600 euro, me mundësi për pagesë edhe me këste.





