Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka deklaruar se arsenali bërthamor francez mund të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes së vendit të tij, duke shtuar se është i hapur ndaj pranisë së armëve bërthamore si amerikane, ashtu edhe franceze në territorin polak.

Deklarata e Dudës vjen në një kohë kur tensionet me Rusinë janë të larta, ndërsa Varshava po kërkon të rrisë kapacitetet mbrojtëse përballë çdo kërcënimi të mundshëm. Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar së fundmi shtrirjen e të ashtuquajturës “ombrellë bërthamore” franceze për aleatët evropianë, si një masë parandaluese ndaj agresionit rus.

Franca zotëron rreth 300 koka bërthamore dhe është i vetmi vend anëtar i Bashkimit Evropian me armë të tilla. Së bashku me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, Franca përbën bërthamën e fuqive bërthamore të NATO-s.

Më herët, Polonia ka kërkuar të strehojë edhe armë bërthamore amerikane, ndërsa së fundmi po zhvillon diskutime serioze edhe me Parisin për këtë çështje. Sipas kryeministrit polak Donald Tusk, këto bisedime janë intensifikuar pas paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara se një administratë e ardhshme amerikane, e udhëhequr nga Donald Trump, mund të mos garantojë sigurinë e plotë të Evropës.

Edhe Danimarka është shprehur e hapur ndaj mbrojtjes bërthamore franceze, ndërsa Europa po rishikon strategjitë e saj të sigurisë në një klimë gjeopolitike gjithnjë e më të tensionuar.