TIRANË, 26 shkurt 2013- Gjatë punimeve të sesionit të 22 të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, kryediplomati shqiptar, Edmond Panariti, pati një takim me Ministrin e Jashtëm polak Radoslaë Sikorski. 

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se të dy bashkëbiseduesit i cilësuan marrëdhënies mes dy vendeve si shumë të mira dhe shtruan nevojën e thellimit të mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, sidomos në atë ekonomike, arsim dhe kulturë. Ministri Panariti e falenderoi homologun polak për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe euroatlantik. 

Nga ana e tij, Ministri Sikorski theksoi nevojën e përmbylljes në një kohë të shpejtë të procesit të marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE dhe rikonfirmoi mbështetjen e Polonisë në këtë proces. 

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në rajon, Ministri Panariti vuri në dukje se Shqipëria është e interesuar për të forcuar marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit me të gjitha vendet dhe fuqizuar rolin e saj si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. 

“Në këtë konteks, – tha ai – Shqipëria nuk ka patur dhe do të ketë kurrë pretendime territorial ndaj fqinjëve të saj. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare do të mbetet e angazhuar për të mbrojtur të drejtat legjitime të shqiptarëve kudo ku ata janë, në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe aktet ndërkombëtare në fuqi”. 

Të dy ministrat përshëndetën rezultatet e dialogut Prishtinë – Beograd, si rrugën e vetme për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet të dy vendeve. Në përfundim, Ministri Panariti e ftoi homologun polak për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.