Varshava u zgjua këtë 1 janar me ngjyrat e Europës së bashkuar. Polonia ka marrë Presidencën e BE-së me fokus sigurinë, zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë si dhe zgjerimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Varshava dëshiron të shpejtojë zgjerimin e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj, veçanërisht shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Në muajin mars në samitin e Uashingtonit, unë paraqita një propozim për të rritur shpenzimet e mbrojtjes nga të gjitha vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut në 3% të GDP së tyre. Më vjen mirë që sot më shumë vende po i bashkohen nismës sime. Sepse vetëm një NATO e fortë, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, garanton sigurinë e Polonisë dhe të gjithë rajonit tonë”, tha Presidenti i Polonisë.
Prioritet mbetet marrëdhënia e ngushtë transatlantike.
“Ne në Poloni e dimë shumë mirë se nuk ka Evropë të sigurt pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, si në planin ushtarak ashtu edhe atë ekonomik. Prandaj, prioriteti i parë i presidencës polake të Bashkimit Evropian, e cila fillon më 1 janar, është qe të forcojë bashkëpunimin midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Motoja e Polonisë është “Siguria, Evropa!”, theksoi Duda.
Polonia e ka marrë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian duke pasuar Hungarinë. Një sfidë e rëndësishme për Poloninë do të jetë adresimi i imigracionit të parregullt.
Kjo do të jetë presidenca e dytë e Polonisë, trembëdhjetë vjet pas saj të parë, pasi ky shtet lindor ish-komunist u anëtarësua me BE në vitin 2004.