Shqipëria nuk ia del në Poloni! Goli i Arbër Hoxhës në pjesën e parë ishte thjesht një iluzion.

Në Varshavë fitojnë polakët me dy gola në pjesën e dytë dhe sigurojnë ndeshjen tjetër me Suedinë, që i mban ende në lojë.

Shqipëria e nisi ndeshjen në mënyrë të kujdesshme, pa rrezikuar shumë në fazën sulmuese, duke ia lënë iniciativën vendasve! Polonia, e gjitha me sytë te Lewandowski, u përpoq të luante shpejt dhe me agresivitet, por kuqezinjtë arritën të rezistojnë mirë.

Dëmtimi i Ajetit në minutën e 15’, që la fushën e lojës për shkak dhimbjesh në krah, nuk ndryshoi sjelljen e Kombëtares në fushë.

Në vend të tij u fut Ismajli, një tjetër mbrojtës me cilësi që i tregon muskujt që në start. Dueli përgjithësisht u zhvillua në mesfushë dhe gradualisht kuqezinjtë arritën të imponohen, kryesisht me kombinimet nga e majta Mitaj-Hoxha.

Sinjalin e parë të qartë e dha Laçi me një gjuajtje të fuqishme në minutën e 36’, ndërsa goli erdhi 6 minuta më pas. Hysaj hedh një top të gjatë prej 50 metrash drejt sulmit, mbrojtësi polak Bednarek gabon dhe Hoxha, që është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, nuk fal, duke e dërguar topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë Shqipëria e nis me vetëbesim dhe ka rastin të dyfishojë me Bajramin në minutën e 54, por mesfushori gabon një rast të artë! Dhe kur nuk shënon, ndëshkohesh!

Nëntë minuta më pas, kuqezinjtë pësojnë golin e barazimit nga Lewandowski, që shfrytëzoi në një goditje këndi një gabim në markim të mbrojtjes kuqezi dhe një gabim po ashtu edhe të Strakoshës në dalje.

Shqipëria ka megjithatë një rast të artë me dy lojtarë të sapofutur në fushë, Broja dhe Pilo. Mesfushori i AEK-ut, në minutën e 72, mori një pasim fantastik nga Broja, por gaboi.

Vetëm një minutë më pas, Polonia na shënon sërish me Zielinskin, me një gjuajtje nga distanca. Silvinjo hedh edhe Muçin në fushë, por nuk mjafton për të ndryshuar fatin e ndeshjes.

Shqipëria nuk e realizoi dot ëndrrën e një shekulli për të shkuar në Botëror. Në ndeshjen tjetër me Suedinë, që mundi Ukrainën, do të luajë Polonia.