Polonia ka vënë në funksion një sistem të ri dhe të avancuar mbrojtjeje kundër dronëve, me qëllim forcimin e sigurisë së hapësirës së saj ajrore përballë kërcënimeve moderne.
Sistemi është porositur nga një konsorcium norvegjezo-polak dhe u prezantua zyrtarisht sot nga qeveria polake.
Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deklaroi se sistemi i quajtur “San”, i zhvilluar nga kompania norvegjeze e mbrojtjes Kongsberg në bashkëpunim me grupin polak të armatimeve PGZ, përbëhet nga 18 bateri dhe rreth 700 mjete të ndryshme luftarake dhe mbrojtëse.
Sipas mediave polake, kontrata për këtë sistem kap vlerën e rreth 3.6 miliardë eurove.
Kryeministri Donald Tusk e cilësoi porosinë si një hap vendimtar për ndërtimin e një mbrojtjeje ajrore efektive dhe moderne.
Tusk kujtoi gjithashtu incidentin e shtatorit të kaluar, kur gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës, disa dronë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë, duke detyruar Forcat Ajrore polake dhe aleatët e NATO-s të ndërhynin për herë të parë duke rrëzuar raketa.
Sipas kompanisë Kongsberg, sistemi “San” përfshin një gamë të gjerë armësh dhe teknologjish, përfshirë mitralozë, raketa, dronë interceptues, sisteme radarësh dhe pajisje për bllokim elektronik të dronëve, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Polonisë për t’u përballur me kërcënimet ajrore.





