Ata njerëz që kanë pasion detin, nuk reshtin së dashuruari atë deri në fund të jetës.

I tillë është dhe personazhi ynë Fatbardh Omeri, 65-vjeçar nga Durrësi, i cili nuk ka thjesht vetëm detin pasion, por më së shumti zhytjen në thellësitë e tij. Omeri thotë se pasioni për detin nuk vdes kurrë….

Omeri ka afro 30 vjet që kryen profesionin e polumbarit. Edhe pse ka dalë në pension, nuk i ndan asnjëherë pajiset që e ndihmojnë për t’u zhytur në det. Për shumë vite ai ishte pjesë e Forcës së Sigurisë Portuale, e cila përvec efektivëve që sigurojnë të gjithë territorin e portit, ka në përbërje edhe dy polumbarë. Fatbardhi thotë se që nga viti 1992 është bërë polumbar, kohë kur fillimisht e mësoi të zhytej një ish-polumbar i ushtrisë.

Fatbardhi shprehet se ka marrë pjesë në afro 25 operacione për të ndërhyrë në raste mbytjesh, apo fatkeqësish të tjera të emergjencave civile. Çelësi për të qenë i sigurt në këtë profesion, është vetëm ruajtja e qetësisë, shprehet ai. Procesi i punës ka qenë që në shumë raste ai duhej të zhytej në kushte ekstreme të motit, temperatura të ulëta apo shikueshmëri e ulët.

“Kam qenë gjithmonë korrekt në zhytje edhe në dalje, gjithmonë i qetë në ujë, nuk kam pasur eufori. Po kalove në eufori, fillon më pas të bësh veprime të pakontrolluara, mund të humbasësh edhe jetën”.

Pak ditë më parë, ai doli në pension dhe në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Forcës së Sigurisë, i është bërë një dhuratë e veçantë, në të cilën ai sheh veten për gjithë periudhën që punoi si polumbar i portit. Në janarin e vitit të ardhshëm Fatbardhi mbush 66 vjeç, por thotë se nuk ka për ta ndalur asnjëherë zhytjen.

Detin e kam pasur pasion që kur kam qenë fëmijë. Nuk mund të rri dot pa detin. Do të vazhdoj derisa të mos kem më fuqi, është një pasion që nuk vdes kurrë… në çdo vend dhe ku të lindë nevoja”, shprehet ai.