Ish-zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, pyetet për një orë në Policinë e Tiranës. Dyshime për fondet e Gjendjes Civile.
Poni: U pyeta si person që kam dijeni. Ministria: Ferdinand Poni u gjet me shkelje nga auditi.
3 dhjetor 2013- Ish-zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, është marrë në pyetje për rreth një orë në Policinë e Tiranës ditën e djeshme. Ponit i janë kërkuar shpjegime në lidhje me një hetim që ka nisur Sektori i Antikorrupsionit për akuzat shpërdorim detyre dhe korrupsion. Ish-zv.ministri, i cili është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, është pyetur prej orës 16:00 deri në orën 17:00 dhe më pas ka dalë nga Drejtoria e Policisë. Burime nga grupi hetimor u treguan të rezervuara për arsyet e marrjes së kësaj deklarate. Megjithatë, Policia tha se bëhet fjalë për një hetim që ka nisur për abuzimet e kryera në fondet e disa prej drejtorive që Poni ka pasur në varësi. Më konkretisht, bëhet fjalë për Drejtorinë e Gjendjes Civile, një nga tenderat e së cilës pretendohet se është gjetur me shkelje. Hetimet janë përqendruar kryesisht te fondet për regjistrin e Gjendjes Civile, por pa dhënë detaje të tjera. Nga ana e tij, vetë ish-ministri Ferdinand Poni, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”, u shpreh se nuk është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe nuk është shoqëruar. “Nuk jam shoqëruar. Kam qenë në Polici për sqarime, si person që ka dijeni për një çështje administrative”, u shpreh mbrëmjen e djeshme Poni. Lajmi u konfirmua zyrtarisht edhe nga Ministria e Brendshme, e cila theksoi se Poni është thirrur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë sqarime në lidhje me një material të auditit nga zyra përkatëse e ministrit. Burime nga Ministria e Brendshme thanë se Poni është pyetur në lidhje me disa abuzime të konstatuara në drejtim të sektorëve dhe drejtorive që ai ka pasur në varësi si zv.ministër i Brendshëm për Pushtetin Vendor, gjatë periudhës 2005-2013, por nuk saktësuan se cilës periudhë i përkisnin abuzimet e identifikuara, për të cilat Poni është pyetur. Nga Policia e Tiranës mësohet se pyetja e ish-ministrit është kryer në kuadër të një procedimi penal të nisur prej pak ditësh, me iniciativë të Policisë së Shtetit, me akuzat “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”. Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Tiranës thanë se nuk ishin në dijeni të këtij hetimi.
http://www.panorama.com.al/2013/12/03/merret-ne-pyetje-akuzat-ish-zv-ministri-i-brendshem-ne-polici/





