TIRANE- Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i pyetur për kthimin e 14 grave dhe fëmijëve emigrantë shqiptarë, pasi në pasaportat e tyre emrat e qyteteve greke shkruhen në shqip, ka thënë se nuk do të bëhen ndryshime në shkrimin e tyre, pasi gjuha jonë është shqipja.
Ndërkohë që, pasaporta biometrike e lëshuar nga shteti shqiptar i ka të dhënat në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Por problemi qëndron se, nëse shtetësinë e mbajtësit të pasaportës e ka në dy gjuhë (Shqiptare/Albanian), vendin e lindjes “vendlindja/place of birth”, e kanë vetëm në shqip. Nëse vendlindja është në një qytet apo fshat të Shqipërisë kjo nuk prish punë, por kur kjo është në një vend të huaj sjell probleme, pasi shkrimi dhe shqiptimi i tyre në gjuhën shqipe është ndryshe.
Për emigrantët shqiptarë që kanë lindur në Greqi, vendlindjet e tyre në pasaportat e lëshuara nga Republika e Shqipërisë, shkruhen vetëm në shqip dhe jo në anglisht, duke bërë që kjo të kthehet në telashin më të fundit mes tyre dhe shtetit fqinj. Shteti ynë ende nuk ka sqaruar zyrtarisht se kush do të jetë zgjidhja e këtij problemi madhor për mijëra emigrantë që jetojnë në Greqi. Edhe pse ky problem mund të kapërcehet shumë mirë me zgjidhjen që i ka gjetur Organizata e Kombeve të Bashkuara në një nga Konferencat për Standardizimin e Emrave Gjeografikë. OKB-ja rekomandon përdorimin e Katalogut të emrave gjeografikë të vendeve të ndryshme, të miratuar në New York në vitin 1998. Sipas këtij katalogu, në dokumente zyrtare apo harta gjeografike, të gjithë emrat e Greqisë duhet të shkruhen ashtu si shqiptohen në gjuhën greke, por në vend të germave greke ato të konvertohen me germa latine: Thessaloniki për Selanikun, Kastoria për Kosturin, Florina për Follorinën, Kerkira për Korfuzin etj. Kështu duhet t’i shkruajë edhe Shqipëria, në mënyrë që të eliminojë një problem të tillë për shtetasit e saj, por zv/ ministri Poni ka pohuar në një bisedë telefonike se nuk do bëhen ndryshime.
INTERVISTA
Zoti Poni, për herë të parë janë kthyer disa emigrantë shqiptarë që kanë udhëtuar drejt Greqisë me avion, për shkak se në pasaportat e tyre, qytetet greke janë të shkruara në shqip, çfarë do bëhet për këtë situatë, a do bëhen ndryshimet që kërkon Greqia?
Nuk do të bëhen, nuk do të shkruhen ndryshe për teka. Ne shkruajmë në shqip. Edhe pasaportat e vendeve të tjera në gjuhën e tyre shkruajnë.
Janë me qindra shqiptarë që po kthehen, po humbasin vendet e punës, fëmijët po u mbesin pa shkollë. Nuk do gjendet një zgjidhje?
Unë jam përgjegjës për pasaportat, jo për çështjet sociale dhe ekonomike.
Ndërkaq, një qëndrim tjetër vjen nga Ministria e Jashtme, ku pas një takimi me emigrantët e kthyer në Shqipëri, ministri premtoi se për disa ditë do të mundësohet bashkimi i tyre me pjesën tjetër të familjeve që jetojnë në Greqi, duke u shpjeguar se ka nisur prej kohësh dialogun me palën greke për problemin e toponimeve bazuar në praktikën ndërkombëtare.