Nën një vapë ekstreme, që po shoqëron ditën e shtunë, demokratët e Durrësit i janë drejtuar kutive të votimit, për të zgjedhur liderin e PD-së.

Demokratët e qytetit bregdetar shprehen të bindur se ky proces do të ringrejë e do të bashkojë të gjithë popullin demokrat të përçarë në disa fraksione pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.

Sipas tyre, ata që kanë dalë kundër kreut të PD, Lulzim Basha janë ata që humbën karriget e pushtetit të tyre dhe nuk u futën në listat e deputetëve në zgjedhjet e 2017. Disa prej tyre kërkojnë ringritjen e partisë dhe përjashtimin e fraksioneve, të tjerë kanë problemet e jetës së përditshme, rritjen e pensionit të pagave etj.

Ardian Muka kreu i njërit prej komisioneve të votimit deklaroi për DurrësLajm se procesi vijon normalisht e pa ansjë kontestim nga votuesit.

Në qarkun Durrës, sipas të dhënave të PD, deri në orën 12.00 kanë votuar 1272 votues nga 7966 anëtarë gjithsej.

1200 është numri i demokratëve që morën pjesë në votim në zgjedhjet e 2013, në garën midis Bashës dhe Sokol Olldashit në Durrës. Në total janë 5200 demokratë në nivel rrethi, 2900 prej të cilëve në bashkinë Durrës, të rregjistuar si anëtarë të PD.

K.H.