Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, ku partia e tij doli e para nga ky proces.
Kryeministri në detyrë, Kurti theksoi se ardhmja e Kosovës është e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian.
Kurti në platformën X, ka falënderuar të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuuan që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe pa incidente.
“Dje, populli i Kosovës na dha edhe një herë një mandat të fuqishëm. Është gjithmonë një nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht kur kjo vjen pas kryerjes së mandatit të parë të plotë në historinë e vendit. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan për të siguruar që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe i zhvilluar pa incidente. Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin progresin demokratik të Kosovës. Një falënderim i veçantë për partitë tona simotra dhe lëvizjen më të gjerë progresive, ndërsa ne angazhohemi për të ndërtuar shoqëri ku dinjiteti dhe mirëqenia e popullit janë në qendër. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Kurti.
Pas procesimit të rezultateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave.
Në bazë të këtyre rezultateve, LVV siguron 56 mandate(pa votat e diasporës dhe ato me kusht).





