Kanë dalë detaje të reja nga operacioni “Tempulli 3”, që Antidroga e Tiranës zhvilloi të enjten. Mësohet se për të kryer veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogës, përdorej një numër celulari që shërbente për të kryer porosi. Ky ambient ndodhej në një dhomë banese në zonën e Laprakës dhe bsedat kryheshin gjatë 24 orëve.
Sipas verifikimeve rezultoi se aty shërbenin si operatorë që merrnin porosinë të paktën 3 persona. Pas porosisë droga mbërrinte te konsumatori përmes shoferëve të taksive, të cilët i shfrytëzonin ato jo vetëm për transport udhëtarësh, por edhe të lëndës narkotike. Bëhet me dije se mes personave të arrestuar janë edhe 3 taksistë.
Arrestimi i të dyshuarve ka ardhur pasi ata akuzohen se janë të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave dhe lokaleve të natës. Operacioni u zhvillua nga sektori kundër narkotikëve në Policinë e Tiranës. Gjithashtu nga ky aksion mësohet se janë sekuestruar lëndë narkotike kokainë, vlera monetare etj.





