“Krizat, veçanërisht pandemitë e luftërat, prekin më shumë dhe më shpejt shtresat e varfra, që janë njëkohësisht edhe shtresat me nivelin më të ulët të edukimit dhe përfshirjes financiare.”

Kjo është një nga problematikat që ngriti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në ceremoninë e Javës së Parasë, një aktivitet që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e parasë dhe thellimin e njohurive mbi sistemin ekonomik.

Sipas Sejkos, është e domosdoshme që individët me të ardhura minimale të kenë akses dhe të përfitojnë nga produktet bankare bazë.

Ai theksoi dhe rëndësinë e edukimit financiar si kundërpërgjigje ndaj informalitetit dhe situatës aktuale.

“Rritja e formalizimit dhe përfshirjes financiare e bën më të lehtë e eficiente edhe përpjekjen e qeverisë për zbatimin e politikave të ndihmës gjatë krizave.”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk humbi rastin për të përcjellë mesazhin e rëndësisë së përdorimit të monedhës kombëtare kundrejt atyre të huaja.

“Sa më pak të përdorësh valutën e huaj, aq më pak i ekspozuar je ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, i cili sot është edhe më i lartë. Përdorimi i monedhës vendase ndihmon në amortizimin e goditjeve që vijnë nga sektori i jashtëm përmes minimizimit të goditjeve në të ardhura, konsum dhe në investime.”