Menjëherë pas njoftimit të marrë nga një shtetas (korrier i një subjekti postar privat), se 2 adoleshentë i kishin marrë një pako të porositur prej tyre online dhe ishin larguar me vrap për të mos kryer pagesën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e këtyre shtetasve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale, u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, shtetasit E. K. dhe L. S., të dy të moshës 16 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Për shkak të moshës, ndaj këtyre 2 shtetasve filloi procedimi në gjendje të lirë.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua pakoja me veshje, e porositur online.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.