“Udhëtimi i njerëzimit përmes historisë së artit” duke u ndalur tek disa nga momentet dhe personalitetet që kanë lënë gjurmën e tyre në shekuj dhe mijëravjeçarë.
Kështu e kishte konceptuar ligjëratën e tij publiçisti dhe kritiku i artit Bledar Kurti, që përreth 2 orë u dha anëtarëve të Klubit Rotarian Durrës dhe atyre të klubit të librit “Gjergj Vlashi” një esencë të asaj se çfarë është konsideruar vepër artistike në etapa të ndryshme të historisë së njerëzimit.
“Arti është dëshmitari më i mirë i hapave të zhvillimit dhe shpalosjes së imagjinatës njerëzore”– tha Kurti ndër të tjera, në kohën kur në ekran kalonin para syve të të pranishmëve në sallë, shumë nga kryeveprat botërore. Kryemjeshtrat e të gjitha kohërave i linin radhën njëri-tjetrit dhe jo më kot publiçisti Kurti kishte zgjedhur ta mbyllte rrugëtimin e tij në historinë e artit, me një artiste, me piktoren meksikane Frida Kahlo.
Jo më kot kjo zgjedhje, sepse pavarësisht talentit, artistet femra janë paragjykuar dhe stigmatizuar përgjatë shekujve.
“Për shkak të shoqërisë patriarkale dhe mungesës së mundësive, ne i kemi të shumta por pak të afirmuara në historinë e artit që nga mesjeta e deri më tutje artistet femra. Në kohët e sotme ka shumë të tilla, ndërsa përgjatë epokave kanë qenë të pakta. Edhe ato që meritoni lavdinë njësoj si artistët meshkuj, etiketoheshin, diskriminoheshin e kështu me radhë”.,- tha Kurti.

Sipas kritikut Kurti, të bërit art nuk nënkupton domosdoshmërisht një kryevepër botërore. Arti mund të jetë edhe një vepër e vogël në dukje, por që mund të ndryshojë jetën e dikujt.
“Ndikoni tek jeta e të tjerëve, ndikoni në shoqëri sado e vogël të jetë ajo. Ne bëmë këtë rrugëtim së bashku në historinë e artit për të parë gjithë progresin e qënieve njerëzore të këtij njerëzimi. Ne sot kemi për detyrë këtë stafetë ta marrim dhe ta çojmë përpara. Një veprim i vogël që ne bëjmë vibron në univers. Një ndihmë që i japim dikujt ka efekt të përjetshëm”.
Duke vënë theksin tek misioni i rotarianëve që është shërbimi dhe ndihma për komunitetin, sidomos atij më në nevojë, Kurti e mbylli ligjëratën me një apel, që kushdo ta shohë rrugëtimin e tij në këtë botë si një dritë për të ndriçuar sadopak në errësirën që na rrethon dhe për të ngjallur shpresën tek dikush apo disa persona.
“Edhe në errësirën më të madhe, një xixëllonjë mund të bëjë dritë. Por kur bashkohen të gjitha xixëllonjat hapet një rrugë edhe në netët më të errëta”.
M.B.





