29 janar 2015 – Mediet italiane, por edhe ato zvicerane në italisht kanë botuar lajmin e vazhdimit të punimeve në një port jahtesh vetëm 15 Km. në jug të Durrësit. Porti e ka kaluar, që në vitin 2013 fazën e marrjes së lejeve të ndryshme burokratike për të filluar ndërtimin.
Kompania investitore është zvicerania Finsec. Porti do ketë një kapacitet maksimal për 650 vende jahtesh e barkash. Zviceranët synojnë të tërheqin në këtë port kategorinë e “Mega-jahteve” d.m.th. jahte të mëdhenj dhe luksozë.
Firma, gjithsesi mendon të tërheqë edhe barka normale, që në porte të këtij lloji përgjithësisht ofrojnë deri në 50% të të ardhurave. Kur të ndërtohet ky port, do të jetë i dyti port jahtesh në bregdetin shqiptar, pas atij në jug të Vlorës. Porti do të ketë një hotel luksoz, një restorant dy bare si edhe të gjitha shërbimet e nevojshme për jahtet e bregëzuar në të. Nëse gjithçka shkon mirë, porti do të inagurohet në vjeshtën e vitit 2016.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





