PRISHTINË, 28 shkurt 2013 – Në kryeqytetin e Republikës së Kosovës u organizua një takim trepalësh i dikastereve të punësimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë ku u diskutua ngritja e portalit rajonal të punës.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të Shqipërisë njofton se kjo nismë vjen si rrjedhojë e gjendjes së tregut të punës në Rajon, nivelit të papunësisë dhe nevojës për rritjen e absorbimit të fuqisë punëtore nga sipërmarrja jo vetëm brenda kufijve të vendeve përkatëse, por veçanërisht mes tyre, si dhe për shkëmbimin në kohë reale të informacionit mbi kërkesat dhe ofertat e punës në secilin prej vendeve.
Me këtë rast për ndërtimin e portalit rajonal të punës u paraqit një raport bëshmërie nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës. Me këtë rast delegacionet nga tre vendet e rajonit folën rreth mundësive që portali krijon për çdo shtet dhe përfitimeve nga ky proces.
Të pranishmit pranuan se ndërtimi i sistemit rajonal të tregut të punës është shumë i rëndësishëm për vendet e përfshira në të dhe se do të ndikojë pozitivisht në rritjen e nivelit të punësimit, nëpërmjet punësimit rajonal të punëtorëve nga vendeve të përfshira nga ky projekt si dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona dhe shkëmbimin e eksperiencave reciproke.
Takimin e përshëndeti organizatori i takimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, Nenad Rasiç, i cili e vlerësoi si shumë të rëndësishëm procesin e unifikimit të tregjeve të punës së vendeve të rajonit.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/