Portali DurrësLajm u nderua paraditen e sotme me çmim nga Unioni i Gazetarëve Durrës për kontributin e dhënë në informimin me vërtetësi dhe paanësi të lexuesve.
Në aktivitetin me temë “Media lokale dhe problematika e saj në epokën e digjitalizimit”, portalit DurrësLajm iu akordua një çertifikatë mirënjohjeje me motivacionin “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e çmuar që ka dhënë dhe jep në informimin me vërtetësi dhe paanësi të publikut durrsak e më gjerë; për të çelurit e një dritareje informative që sjell përmes raportimit realitete shoqërore-ekonomike dhe politike me ndikim në jetën e komunitetit”.
Në vitin e 5-të të punës, portali DurrësLajm është kthyer në një burim informacioni për gjithçka që ndodh në qytetin bregdetar dhe qarkun e Durrësit duke i ofruar jo vetëm durrsakëve, por një numri gjithnjë në rritje lexuesish një gamë të gjerë informacioni.
Ky çmim i akorduar në këtë prag fundviti është një motivacion më shumë për stafin e DurrësLajm për të përcjellë me përgjegjësi dhe profesionalizëm jo vetëm lajmin më të fundit në Durrës, por për të qenë sa më pranë lexuesve me tematika të mprehta dhe të prekshme sociale, politike, ekonomike dhe kulturore për të gjithë banorët e qytetit bregdetar dhe më gjerë.





