DURRËS, 27 gusht 2014 –  Ndonëse si 7-mujor 2014, vëllimi i punës në përpunimin e mallrave në portin detar u realizua 94 për qind (plani 2 299 166 tonë, fakti 2 168 514 tonë), lëvizja e udhëtarëve në masën 65 për qind (plani 498 971 udhëtarë, fakti 325 505 udhëtarë), lëvizja e mjeteve me tragete 64 për qind (plani 151 229 copë, fakti 96 985 copë), gjithsesi të ardhurat u tejkaluan me 1 për qind mbi parashikimin, ose 12 966 670 lekë (94 mijë euro) teksa plani ishte 1 072 793 330 lekë (7 773 864 euro), kurse fakti rezultoi 1 085 760 000 lekë (7 867 826 euro).

Bie në sy (shih tabelën) se të ardhurat më të mëdha janë siguruar nga terminali i kontejnerëve ku nga 200 057 330 lekë të planifikuar u siguruan 291 205 000 lekë me tejkalim 46 për qind; terminali i mallrave rinfuso, ku nga 121 243 330 lekë të planifikuar u siguruan 173 709 000 lekë me tejkalim prej 43 për qind;

Këto dy terminale kanë rezultuar më fitimprurës, duke mbuluar deficitet e krijuara në dy terminalet, në atë të trageteve (plani 372 681 330 lekë, fakti 332 320 000, realizimi 89 për qind) dhe në terminalin publik të mallrave gjenerale (plani 290 798 670 lekë, fakti 216 888 000 lekë, realizimi 75 për qind).

TERMINALI I KONTEJNERËVE

Tërheq vëmendjen fakti se ndonëse në terminalin e kontejnerëve përpunimi u realizua 81 për qind (plani 72 162.42 njësi kontejnerike, fakti 58 328 njësi kontejnerike, me një diferencë jo të vogël prej 13 834 njësi kontejnerike), i siguroi portit, sikurse u shënua më sipër, 291 205 000 lekë, me tejkalim 46 për qind, ose 91 147 670 lekë (660 490 euro) më shumë.

Drejtori i administrimit dhe financës i drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD), z. Gëzim Agasi e shpjegon këtë gjë me të ardhurat fikse që merr APD-ja nga terminali i kontejnerëve sikurse janë shërbimet mbështetëse, si hapje-mbyllje kapakësh të anijeve, lidhje-zgjidhje kontejnerësh, hyrje mjeti-lëvizje kontejnerësh, lëvizje ekstra; energjia elektrike për kontejnerët frigoriferikë për çdo ditë qëndrimi etj.

ana tjetër, vetë koncesionari i terminalit të kontejnerëve merr të ardhura të tjera për shërbime që nuk kanë lidhje më portin etj.

TERMINALI PUBLIK PERËNDIMOR “I SULMUAR” NGA AI PRIVAT LINDOR

Megjithatë mbetet për t’u sqaruar pse terminali publik i mallrave gjenerale (terminali perëndimor), pra terminali që administrohet nga vetë APD-ja, i ka realizuar të ardhurat në masën 75 për qind me një deficit prej 7 3910 670 lekë (535 584) euro.

Për mendimin e “Dyrrah”-ut, këtu mund të ketë ndikuar dhe mosardhja e mallrave gjenerale nga importi dhe për eksport, prirja globale për kontejnerizimin e transportit detar, por edhe pozita monopol që i ka dhënë qeveria Berisha koncesionarit gjerman të terminalit të mallrave rinfuso (terminali lindor), ku u tejkaluan të ardhurat me 43 për qind, në masën 52 465 670 lekë (380 186 euro), një pjesë prej të cilave u siguruan nga anijet me mallra të përgjithshme, që duheshin dërguar në terminalin perëndimor të mallrave gjenerale.

Shënime: 1. Konvertimi në euro i lekëve nga “Dyrrah”-u është bërë me kursin 1 euro = 138 lekë.

2. Tabelat: mirësjellje e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/