25 shkurt 2015 – Në raportin vjetor të mbajtur në janar 2015 të DNA (Direzione Nazionale Antimafia) d.m.th. të antimafies italiane theksohet me forcë gjendja problematike e Portit të Barit në Itali.
Në raport, Bari konsiderohet si porti kryesor për lidhjet e Italisë me Levantin (lindjen). Në këtë port, sipas raportit thuajse përditë kapen shkelës të ligjit me drogë , armë, mallra të falsifikuara, duhane të prodhuara jashtë shtetit, klandestinë, vepra arti e mbetje arkeologjike me burime të dyshimta të ardhura nga lindja, kafshë e shpendë në rrezik zhdukjeje të trafikuara në kundërshtim me ligjin, klandestinë apo eksporte të kundra ligjshme të ndotjeve të ndryshme si edhe mbeturinave industriale.
Rreth 2/3 e rasteve të kapura në Bari vinin nga Durrësi, ndërsa të tjerat nga Tivari, Igumenica, Patras, Spliti e Dubrovniku.
Antimafia italiane jep alarmin, që bandat e strukturuara kriminale shqiptare nëpërmjet Portit të Barit mund të infiltrojnë në territorin italian terroristë, ithtarë të Kalifatit Islamik, shqiptarë, kosovarë, islamistë ballkanikë, por edhe islamikë me prejardhje jashtë Ballkanit të pajisur me dokumente identifikimi shqiptare të falsifikuara. Gjendja bëhet edhe më e rëndë, sepse segmente të kriminalitetit barez, gradualisht po kalojnë nga duart e “xhajeve”, që e dinin mirë se, deri ku e kishin kufirin e përfshires në aktivitete kriminale, në kontrollin e djemve të rinj tërësisht të papërgjegjshëm. Tipik është rasrti i klanit të mafies bareze të quajtur Caldarola.
Ky klan tashmë drejtohet nga të bijtë e shefit historik të klanit vetëm 15 dhe 22 vjeçarë. Bëhet fjalë për klanin e Lagjes Libertas të Barit, që kontrollon një pjesë të qenësishme të trafikut, që zhvillohet në Portin E Barit.
Mbetet për t'u parë se sa organet ligjzbatuese shqiptare, veçanërisht policia do t’i përgjigjen këtij alarmi të antimafies italiane me masa shtesë anrtikrim në Portin e Durrësit.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





