Ditën e mërkurë, më 2 mars, do të përurohet ekspozita fotografike “Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991” në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” në Durrës.
Kjo veprimtari që organizohet nga Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH, rikthen në vëmendje një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit, eksodin me anije në mars 1991.
Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetëra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane.
Ekspozita do të sjellë për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991. Vizitorët e galerisë “Nikolet Vasia”, ku do të hapet ekspozita, përmes 25 fotove bardhezi mund t’i rikthehen emocioneve të 25 vjetëve më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit.
Mësohet se pamjet filmike të portit në vitin 1991 do të shfaqen në një monitor, ndërsa në pjesën tjetër të galerisë do të ekspozohen edhe fotot me pamje aktuale të portit të Durrësit.