Kërkesa e Partisë Socialiste për përshpejtimin e një projektligji për miratimin e një marrëveshjeje në kuadër për Portin e Durrësit ka krijuar replika mes deputetëve Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj. Balla u shpreh se kërkesa është në raport me rregulloren. Sipas tij, kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme dhe i jep mundësinë Shqipërisë që shumë shpejt ta kthejë Portin e Durrësit në një prej porteve më të rëndësishme. Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Balla tha se “ky është momenti ku ju nuk duhet të vazhdoni t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut”.

“Kërkesa që ka ardhur është tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren. Sa i përket nevojës, mendoj që nëse ju do të ishit dakord ne të jepnim mundësinë që ta miratonim që sot këtë marrëveshje. Sepse është një prej atyre momenteve kur Kuvendi çel për Shqipërinë tonë të përbashkët, jo vetëm të këtij krahu i dashur Enkelejd, një moment të ri në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri. Në hapjen e një epoke të re. Thirrja ime pikë së pari është për deputetët e Durrësit që jo vetëm ta votojmë sot, por ta votojmë edhe në momentin që do të kalojë në seancë sipas projektvendimit. Shteti shqiptar ka negociuar për një kohë të gjatë dhe ka sjellë këtu një kontratë shumë të besueshme dhe një kontratë e cila i jep mundësinë Shqipërisë që nga një mungesë totale në hartën e porteve turistike në Mesdhe të kthehet në një prej pikave më të rëndësishme të këtij sektori që ne nuk kemi ekzistuar fare. Shumë shpejt Porti i Durrësit do të kthehet një prej porteve më të rëndësishme të industrisë globale të turizmit dhe natyrshëm shoqëruar me pjesën e akomodimit të jahteve dhe shoqëruar me pjesën e zhvillimit të gjithë asaj që quhet “water front” dhe do ta kthejë Durrësin në një prej atraksioneve në Mesdhe. Akuzat që keni hedhur deri më tani pa lexuar asnjëherë asnjë element duhet që t’i tërhiqni të gjitha mbrapsht. Do të kemi kohë dy javë që ta diskutojmë në të gjitha komisionet parlamentare.

Ky është momenti ku ju nuk duhet të vazhdoni t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut. Këtë këngë e ka nisur Saliu, nuk keni lidhje ju fare. Saliu or mik e ka vëmendjen në vend tjetër. Saliu është në borderonë e Kremlinit dhe natyrshëm që Kremlini nuk ka asnjë interes që në Shqipëri të zhvillohet një port që të konkurrojë porte të tjera ku Kremlini mund të ketë interesat e veta”, u shpreh Balla.