Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sot për projektin e Portit të Durrësit. Berisha deklaroi se ne do e ndjekim në Gjykatë Kushtetuese, në Strasburg, teksa paralajmëroi qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë të mos vendosin lekë aty pasi është një skemë piramidale.

“Gjykata Kushtetuese për herë të parë në historinë e ekzistencës së saj, mbyll dyert kur shqyrton dokumentet për një çështje.

Çështja është Porti i Durrësit, që përbën aktin më të madh korruptiv sot në Europë, çështje e cila është sanksionuar në rezolutat e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Ato janë miratuar dhe ne kemi vlerësuar shumë grupin e deputetëve që i ka paraqitur ato amendamente, të cilët konstatojnë se akti është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, marrëveshja e vetme bazë kontraktuale e Shqipërisë me BE, e detyrueshme për të zbatuar nen për nen”, tha Berisha.

Sipas tij, konstatohet nga parlamentarët europianë se janë shkelur të gjitha parimet e prokurimeve, e konkurrencës dhe lirë dhe janë shtuar dyshime të tjera.

“Ka pasur një përpjekje të turpshme të Edi Ramës dhe jo vetëm atij, që të përfshijnë edhe NATO-n në këtë aferë, duke i kërkuar NATO-s që ajo të angazhohet për portin e ri në Porto Romano, në një kohë që Porti i Durrësit prej dhjetëra vitesh është edhe port ushtarak.
NATO e ka bërë të ditur se nuk plotësohen kushtet për angazhimin e saj, e ka kuptuar se bëhet fjalë për një vepër mafioze të Edi Ramës.
Ne do e ndjekim në Gjykatë Kushtetuese, në Strasburg dhe paralajmëroj qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë të mos vendosin lekë aty pasi është një skemë piramidale. Ortaku i Ramës është në hetim në Indi, prandaj të mos shpenzojnë lekë në projekte fantazmë”, tha Berisha.