Nga Mila Ballhysa
Kjo foto e shkrepur mëngjesin e sotëm nga “DurrësLajm” dëshmon akuariumin e portit më të madh në vend tërësisht bosh.
Porti i Durrësit është zgjuar mëngjesin e kësaj të diele pa asnjë anije mallrash në kalatat e tij. Megjithëse ditë pushimi zyrtar, puna nuk ndalet për asnjë moment në portin më të madh në vend, prandaj mungesa e anijeve që duhet të përpunoheshin në kalata lë një hije të hidhur.
Krejt e kundërta ndodh në Porto Romano, tek porti i kompanisë koncesionare MBM (Multi Buoy Mooring). Nga një vëzhgim i thjeshtë që i bëmë hartës së trafikut detar mëngjesin e kësaj të diele, në këtë port janë duke u përpunuar 3 anije mallrash (cargo) dhe 2 cisterna nafte.
Rastësi apo një këmbanë alarmi për autoritetet për atë çfarë po ndodh në portin e Durrësit???
Prej rreth një viti, vendimi i qeverisë shqiptare për ta transformuar portin e Durrësit në port turistik e ka përqendruar vëmendjen e publikut tek investimi i premtuar prej 2 miliardë euro nga kompania EMAAR e investitorit Muhamed Alabar.
Ndërkohë transferimi i portit të mallrave në Porto Romano, atje ku pritet të ndërtohet porti i ri tregtar, përmendet shkarazi dhe në mënyrë mjaft sporadike, megjithëse kemi të bëjmë me një aset mjaft të rëndësishëm për ekonominë e qytetit, por edhe të mbarë vendit. Kompania MBM po investon fuqishëm në kalatat e saj dhe për blerjen e vinçave për përpunimin e mallrave gjenerale, gjë që po përkthehet në një numër të konsiderueshëm importuesish shqiptarë që po braktisin portin e Durrësit për t’iu drejtuar privatit.
Ndërsa Autoriteti Portual Durrës me tenderat e zhvilluar muaj më parë investon për rregullimin e infrastrukturës së hapësirave që do t’i kalojnë për shfrytëzim kompanisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, investon për betonim rrethimesh që e kanë ndarë portin e Durrësit në parcela e “labirinte”.
Përveç zërit të disa specialistëve, që kanë ngulmuar për një proces transparent, të mirëmenduar dhe mirëstudiuar, transferimi i portit të mallrave trajtohet nga qeveria si një çështje e rëndësisë së dytë, përballë pompozitetit të projektit të investitorit arab, që merr “qyl” 80 ha tokë shtetërore që i përket qytetit të Durrësit.
E ndërsa nga njëra anë kemi një hapësirë të madhe portuale që i falet privatit, nga ana tjetër kemi një port në pronësi të një koncesionari (MBM), që duket se po merr trafikun detar të portit më të madh në vend.
Toka shkon tek privati, paratë shkojnë tek privati dhe shteti zhvishet gjithnjë e më shumë nga asetet e tij më të vyera, që sjellin çdo vit në buxhet miliarda lekë të ardhura.
Në fund të marsit 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi kontratën shtesë me shoqërinë koncesionare “Porti MBM (Multi Buoy Mooring) shpk” e cila i mundësoi koncesionarit të përpunonte anije që transportojnë mallra të tjera, përveç cisternave të naftës dhe gazit.
Marrëveshja erdhi në një kohë, kur porti i Durrësit, për disa vite rresht po regjistronte një performancë mjaft të mirë duke rritur ndjeshëm volumin e mallrave dhe kontenierëve që përpunohen aty.
Tani këtë performancë të mirë pritet ta realizojë privati, sepse derisa qeveria të finalizojë ndërtimin e portit të ri tregtar, koncesionari do të thithë gjithë trafikun detar.
Pas betonizimit, përçudnimit të arkeologjisë si dhe talljes që po i bëjnë Durrësit me një monstër betoni dhe hekuri, ende të papërfunduar, qyteti rrezikon të humbë një nga resurset më të vlefshme ekonomike të tij.
A kemi të bëjmë këtu me një strategji afatgjatë për zhvillimin e qytetit apo një strategji të mirëfilltë për të përqendruar në duart e vetëm pak personave gjithë asetet e Durrësit, që gjenerojnë të ardhura?
Gjykojeni si të doni, por këmbanat po bien…