Drejtuesit e Autoritetit Portual Durrës dhe Autoritetit Portual të Rijekës (Kroaci) nënshkruan sot në mesditë një Memorandum Mirëkuptimi, duke pasur parasysh rëndësinë e një bashkëpunimi më të gjerë dypalësh në fushën e transportit detar dhe industrisë portuale.
Në takimin që u zhvillua në mjediset e APD, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj tha se kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë dhe synon të shtrijë bashkëpunimin në disa fusha, mes të cilave edhe në krijimin e kushteve për një linjë tragetesh për udhëtarë dhe automjete që do të bashkojë të dy qytetet tona.
Bakaj vlerësoi se këto janë hapa me rëndësi për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, proces në të cilin edhe Kroacia, si vend anëtar luan një rol mjaft të rëndësishëm.
Sanja Bujas Juraga, Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Tiranë u shpreh se ndjehet e lumtur që bashkëpunimi i nisur dy vjet më parë po konkretizohet në një marrëveshje Bashkëpunimi dypalësh mes të dy porteve tona.
Ajo tha se në këtë marrëveshje një rol të veçantë kanë luajtur përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Kroaci, ndërsa nënvizoi edhe takimet që kanë patur sot në Fakutetin e Detarisë dhe Navigacionit në UAMD.
Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto përshëndeti pjesmarrësit nga të dy portet dhe vlerësoi rëndësinë e këtij Memorandumi për të dy qytetet dhe vendet tona.
Drejtori i Përgjithshëm i APD, Afrim Bakaj dhe znj. Zorka Beganović, zv. Drejtore Ekzekutive e APR, (në emër të Drejtorit Ezekutiv, z. Denis Vukorepa) nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit.
Palët ranë dakord të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në çështjet që kanë të bëjnë me promovimin dhe bashkëpunimin ekonomik, me qëllim rritjen e shkëmbimit tregtar.
Shkëmbimi i informacionit, promovimi, zhvillimi elektronik, takimet dypalëshe, negociatat dhe konsultimet janë disa nga fushat e bashkëpunimit mes APD dhe APR.
Anëtarët e Delegacionit kroat vizituan më pas Terminalet e portit të Durrësit.