Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo ka reaguar përmes një deklarate lidhur me hapjen e garës së Portit të Durrsit.
Bozdo e cilëson proën publike si mollë të ndaluar nga qeveria, teksa sipas tij është akti flagrant, i përmasave të tradhtisë kombëtare falja e Portit të Durrësit, të pronës publike prej 800 mijë metrash katrorë, në zemër të qytetit, arabit Alabar, mikut të Edi Ramës, pa garë, pa konkurrencë, sikur të ishte pronë e trashëguar nga babai, thotë ai.
DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, ENO BOZDO:
”Mbrapa spektaklit të djeshëm për hapjen e garës së Portit të ri të Durrësit, qëndron vjedhja më e madhe e pronës publike, që sfumon edhe aferën tronditëse të inceneratorëve inekzistentë. Është akti flagrant, i përmasave të tradhtisë kombëtare, i faljes së Portit të Durrësit, të pronës publike prej 800 mijë metrash katrorë, në zemër të qytetit, arabit Alabar, mikut të Edi Ramës, pa garë, pa konkurrencë, sikur të ishte pronë e trashëguar nga babai.
Mbrapa premtimeve bombastike për punësim të Ramës, qëndron fakti tronditës të cilin ai nuk përmendi asnjë herë: ky port i ri do t’i kushtojë shqiptarëve minimalisht 1, 5 miliardë euro dhe këto euro nuk dalin nga fitimet e Alabar, por nga xhepat tanë. Skema e Ramës është poshtërsi ekonomike dhe shoqërore: Portin aktual të Durrësit, prona më e vlefshme në Shqipëri, e merr miku i tij, ndërsa Porti i ri i Durrësit ndërtohet me paratë e taksave të shqiptarëve.
Alabar do të pasurohet më tej me pronën e falur nga Edi Rama, ky i fundit ndo marrë thelën e vet, kurse shqiptarët do të hapin sytë. E vetmja gjë që shqiptari i thjeshtë do të mund të bëjë në vendin që dikur ishte pronë e të gjithëve, është të hajë një akullore dhe të shohë vitrinat e dyqaneve të shtrenjta.
Prona publike kthehet në mollë të ndaluar nga Edi Rama.
Në spektaklin e djeshëm, “peshkaqenët” nuk ishin kompanitë e huaja, por vetë kryeministri, si një predator apeks i pronave publike. Ai dhe investitorët e tij strategjikë kanë bërë kërdinë me pronat e vlefshme publike, në jug dhe veri të vendit. Rasti i Durrësit është simboli i këtij fenomeni.
Partia Demokratike ka depozituar në 13 shkurt të këtij viti, pra 6 muaj më parë, padinë përkatëse në SPAK për mega-grabitjen e pronës publike të Portit të Durrësit. Asnjë reagim deri me sot. Paditë me emrin e Ramës SPAK i konsideron blasfemi dhe nuk i prek me dorë. Dumani me të tijtë e dinë Ramën intelektual të madh, dhe meqë nuk kanë zbuluar dot krime më të vogla të bëra nga intelektualë të tjerë të Rilindjes, këtyre të Ramës as u afrohen.
Faktet janë ulëritëse: pa garë dhe asnjë studim paraprak, pa konsultim me publikun apo edhe me Komisionin Evropian dhe Bankën Botërore, që kanë investuar qindra milionë euro në Portin e Durrësit, pezullohet puna në këtë port dhe prona i falet Alabarit.
Partia Demokratike nuk kundërshton asnjë vepër publike, dhe aq më tepër një port të ri detar. Por ne denoncojmë faktin se prona publike është vjedhur, se do të duhen minimalisht 10 vjet që porti i të ndërtohet dhe të hyjë në treg. Në kushtet kur Shqipëria është aktualisht pa asnjë port, kjo është vrastare për ekonominë dhe pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë në tregtinë detare dhe në rrjetin e sigurisë së NATO-s.
Nga kjo katastrofë në emër të babëzisë dhe propagandës që ka gatuar Rama, po përfitojnë portet konkurrente në Greqi dhe Mal të Zi.
Mbrapa çdo spektakli të Ramës, qëndron mbulimi i një skandali. Mbrapa spektaklit të djeshëm qëndron hija e dëshmisë tronditëse të njeriut shumë të afërt, mikut dhe zëvendësit të tij për më shumë se një dekadë.
Arben Ahmetaj vërtetoi se të gjitha akuzat e opozitës janë të vërteta. Përfshirë këtu edhe mungesën e vullnetit të SPAK për ta luftuar krimin qeveritar që lidhet me Ramën.
Një qeveri që zbon shqiptarët dhe shet pasuritë e tyre është armike e popullit. Si të tillë duhet ta trajtojmë.
Të dashur qytetarë,
Në fund edhe një thirrje për protestën e nesërme te Bashkia në orën 11.00. Të bëhemi bashkë kundër vjedhjes, korrupsionit, babëzisë, pavarësisht nëse quhet Alabar apo 5D”.