Paraditen e sotme në portin e Durrësit flitej italisht. Mund të duket si shaka, por është e vërtetë. Dhe këtë herë nuk ishin emigrantët shqiptarë, që e flisnin italishten, por me qindra shtetas italianë të të gjitha grupmoshave, që po imbarkoheshin në tragetet e linjës Durrës-Bari, pas pushimeve të kaluara në Shqipëri.
Shumë prej tyre i kanë kombinuar pushimet në det me ato në zonat malore, duke parë shumëçka nga ajo që ofron vendi ynë këtë sezon veror. Përshtypjet janë nga më të mirat dhe që tani disa po mendojnë të rikthehen.
“Shqipëria është e bukur, ishim në Durrës dhe qëndruam një javë. Ushqimi dhe çmimet ishin shumë të mira dhe të lira. Do vijmë sërish vitin e ardhshëm”.
“Shqipëria është shumë e bukur, kaluam bukur. Shqiptarët janë shumë të dashur. Pushimet i kaluam në veri të vendit tuaj dhe sigurisht do të rikthehemi.”
“Shqipëria më pëlqeu, shqiptarët edhe më shumë. Këto janë pushimet e para që kaloj në Shqipëri. Më pëlqeu shumë liqeni i Komanit, Thethi, Syri i kaltër. Ushqimi ishte super. ishim një grup prej 14 personash, që kaluam pushimet këtu”.
“Qëndruam në Durrës, ku kaluam shumë bukur. Qëndruam 6 ditë. Shkuam edhe në Tiranë, Sarandë, Ksamil. Gjithçka ishte shumë bukur, çmimet ishin ekonomike, shqiptarët janë shumë të sjellshëm, të ndihmojnë gjithnjë. Me pak fjalë pushime të shkëlqyera, do vijmë sërish”,- ishin këto përshtypjet e shumë të rinjve italianë për mikrofonin e “DurrësLajm”.
Por a ka gjëra për të përmirësuar në shërbimet publike apo ato që ofrojnë strukturat akomoduese për të përballuar këtë boom turistësh të huaj? Patjetër që po.
“Çmimet janë shumë më të lira sesa ato në Itali, por ajo që paguam në këtë udhëtim ishte shumë më e lartë, sesa shërbimi që morëm”.
“Duhet të përmirësoni trafikun, lëvizhmëria lë për të dëshiruar, ashtu si infrastruktura rrugore”, deklaruan pushuesit italianë.
Pak ditë më parë ishte Rete 4 që realizoi një reportazh, për mijëra italianë që po kalojnë këtë verë pushimet në Durrës. Përshtypjet ishin nga më të mirat, por kryesisht Shqipëria është përzgjedhur këtë verë nga turistët për shkak të çmimeve të ulta.
Sipas kryeministrit Rama, këtë verë në Shqipëri kanë pushuar gati gjysmë milion turistë italianë.
M.B.