Durrës, 29 maj 2014 – Çmenduria e Milloshevicit dhe luftërat 1991-1999 në ish-Jugosllavi e shndërruan Serbinë në një vend pa dalje në det (land locked country). Amerika e Klintonit më së fundi realizoi ëndrrën e vjetër austro-hungareze për bllokimin e daljes në det të Serbisë.
Diplomacia serbe post Milloshevic po përpiqet ta korrigjojë këtë pengesë të madhe për kombin dhe shtetin serb. Po bëhen përpjekje frenetike për të përdorur portet kroate (Rijekën), portet sllovene (Koperin në proces modernizimi nga një kompani malteze), portet malazeze (Tivarin si psh në eksportin e veturave FIAT 500 prodhuar në Kragujevac të Serbisë) e tani së fundi Shëngjinin (hekurudha projekt i zv/kryeministrit kosovar Behgjet Pacolli, investim nga Kazakistani dhe aprovuar nga Kryeministri Rama).
Normalisht serbët nuk mund të nënvleftësonin kurrsesi Portin e Durrësit, që mbetet ëndërr serbe, që në kohën e Car Dushanit. Në këtë konteks, në 28 maj 2014, një delegacion tregtar serb vizitoi Portin e Durrësit. Delegacioni kryesohej nga z. Dragan Kostic, kryetar i Dhomës së Tregtisë Nish dhe drejtor i përgjithshëm (CEO) i Zonës së Lirë Ekonomike Pirot. Kjo zonë ekonomike është një partneritet publik serb dhe privat përkatësisht kompania Tigar e specializuar për prodhime plastike si goma automjetesh, këpucë, sandale, cizme, enë guzhine plastike etj. Delegacioni serb shoqërohej nga Shkëlqesia e tij Z. Miroljub Zaric, Ambasadori i Serbisë në Tiranë.
Drejtori i APD-së Durrës, zoti Selim Belortaja i njohu mysafirët serbë me kapacitetet dhe mundësitë e portit të Durrësit veçanërisht përsa i përket transporteve multimodale dhe kapaciteteve e procedurave të tranzitimit të mallrave në këtë port. Drejtori Belortaja gjithashtu trajtoi edhe rritjen e konkurueshmërisë së Portit të Durrësit në konteksin rajonal.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





